Të hënën e parë të nëntorit ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për qortimin e serbëve që bartin targa ilegale në vend.
Sipas këtij vendimi, deri më 21 nëntor ata do të qortohen nga Policia e Kosovës për moszbatimin e thirrjeve për konvertimin e këtyre targave në “RKS”.
Kurse, pas kësaj date për bartësit e këtyre targave do të ketë gjoba nga Policia.
E për të monitoruar zbatueshmërinë e këtij vendimi, misioni i KFOR-it po qëndron në rrugën për në pikën kufitare të Jarinjes.
Sipas burimeve të Tëvë1 brenda kufirit të Jarinjes, deri në mesditën e së martës janë shqiptuar rreth 50 flete-qortime.
“Prej orës 24:00 kur edhe ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për lëshimin e flet-qortimeve për vozitësit e automjeteve që posedojnë targa ilegale, janë shqiptuar rreth 50 qortime”, ka thënë ky burim.
Qytetarë të shumtë të komunitetit serb që janë deklaruar për Tëvë1 gjatë ditës në pikat kufitare me Serbinë, kanë thënë se pavarësisht qortimeve nuk do t’i ndërrojnë targat.