Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për media pas nënshkrimit të tri marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Kurti tha se nuk do të nënshkruaj asnjë marrëveshje që cenon integritetin dhe pavarësinë e Kosovës. I pari i ekzekutivit kosovar deklaroi se janë nënshkruar tri marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit.
“I nënshkruam tri marrëveshje që ka dy vjet që negociohen, bëhet fjalë për marrëveshjen për qarkullim të lirë në të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor me letërnjoftime, pastaj bëhet fjalë për marrëveshjen e cila bën njohjen e kualifikimeve të institucioneve të arsimit të lartë, dhe marrëveshjen tjetër për njohjen e kualifikimeve profesionale, ku janë në pyetjet tri profesione”, ka thënë Kurti, raporton RTKlive.
Sipas tij, nuk ka alternativa të tjera, përveç procesit të Bashkimit Evropian. “Së pari opsionet modelet e idetë të cilat po prezantohet në mënyrë të intensifikuar kohëve të fundit padyshim se janë avancim, meqenëse bëhet fjalë për nocionet universale siç janë: integriteti territorial, sovraniteti e barazia e kështu me radhë. Besoj se kjo është shumë e mirë për marrëveshjen e ardhshme që për bindjen tonë duhet të jetë finale, duhet të jetë për normalizim të plotë e ligjërisht e obligueshme dhe patjetër ta ketë njohjen reciproke në qendër. Është herët të themi tani se çfarë do të përmbajë ajo në fund, mirëpo besoj se ka një lëvizje të duhur nga të ashtuquajturat marrëveshje për zgjidhjen e problemeve të posaçme që shndërrohen në solucion ‘sui generis’, që i nënshtrohen interpretimeve të panumërta e shpeshherë mos kuptimeve e keqinterpretimeve tek një marrëveshje e cila është e bazuar në vlerat evropiane. Ajo çfarë BE-ja e konsideron vlerë, siç janë demokracia, sundimi i ligjit, sovraniteti, integriteti territorial e kështu me radhë”, tha kryeministri Kurti.
Ai se beson se kjo është shumë e rëndësishme për një marrëveshje Kosovë-Serbi.
“Besoj se kjo është shumë e rëndësishme, por për një marrëveshje Kosovë-Serbi nuk na duhen zgjidhje super të veçanta të problemeve, por na nevojitet një marrëveshje me kornizë të përgjithshme që bazohet në vlera evropiane. Kjo është edhe e drejtë dhe e mirë për të gjithë, por edhe e dobishme për Kosovën. Qeveria nuk do të bëjë asnjë marrëveshje që cenon integritetin territorial, sovranitetin, pavarësinë dhe që cenon kushtetutshmërinë dhe zbatueshmërinë e ligjit në vendin tonë. Dua të theksoj se sa herë që të na thërret Brukseli për takimet e radhës, Qeveria e jonë është e gatshme. Ne duam dialog parimor e simetrik, të bazuar mbi vlera evropiane dhe natyrisht që ndoshta të tjerëve iu duhen strategjitë se si të mbërrihet tek ajo që për neve është e pashmangshme, përveç se e domosdoshme dhe kjo është njohja reciproke në qendër”, tha ai.
Kurti tha se janë transparent në këtë proces. “Së pari, jemi në rrugën e duhur për të diskutuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes sepse deri më tani shpesh herë është diskutuar për hapa të vegjël. Besoj se momenti i ndryshimit ishte më 18 gusht në Bruksel. Aty për herë të parë çështjet aktuale ishin pikë e dytë e pika e parë ishte korniza e dialogut, e në kuadër të kësaj kornize të dialogut, si temë dominuese vijnë propozime dhe ide, e unë natyrisht që për të gjitha këto propozime që bazohen në vlera demokratike e evropiane shprehu mirëkuptimin tim dhe njëkohësisht angazhimin tim konkret. Por kjo tregon se jemi në shtegun e duhur dhe kemi bazën e mirë, mirëpo ka shumë punë që të flitet për ndonjë farë përmbajtje përfundimtare. Është ende herët të kuptoni sepse është respekti ndaj ndërmjetësit – konfidencialiteti. Unë jam transparent për procesin, por është princip i ndërmjetësit konfidencialiteti i bisedimeve dhe nga pala jonë mund të them se s’ka pasur rrjedhje siç thuhet”,deklaroi Kurti.
Ai ka thënë se nga data 21 nëntor do të ketë gjoba për pronarët e veturave me tabela ilegale që janë në Kosovë.
Kurti ka folur edhe për takimet që ka pasur në Berlin dhe ai bëri me dije se i ka njoftuar ata për veprimet kriminale që janë në veri dhe po terrorizojnë banorët në veri.
Ndërsa për kërkesën e ShBA-së për shtyrje të implementimit të vendimit për tabelat në veri, tha se nuk mund të ketë shtyrje për një vit, pasi që qeveria po zbaton vetëm ligjin.