Kryetari i Listës Srpska, Goran Rakiq ka bërë të ditur se për të shtunën ka caktuar një takim urgjent me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës në veri të Kosovës.
Mësohet se atyre do t’u propozojë që të gjithë serbët të largohen nga institucionet e Kosovës në veri, duke filluar nga ai personalisht, e duke përfunduar me serbët e vetëqeverisjes lokale, prokuroria, gjykata, policia dhe të gjitha autoritetet e tjera.
Rakiq u bëri thirrje mbledhjen duke pasur parasysh, siç e quajti ai, vendimin e fundit të suspendimit të drejtorit të Drejtorisë Rajonale Veri, Nenad Gjuriq, transmeton Indeksonline
“… për shkak se ai nuk pranoi të paralajmëronte bashkëqytetarët e tij për posedimin e targave të ligjshme KM, dhe të cilën kryesia e Listës Serbe dhe të gjithë kryetarët e komunave nga veriu e mirëpritën dhe e përkrahën dje”, thuhet në njoftimin e Rakiqit.
Ndryshe, u.d. drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të IPK-së ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, Nenat Gjuriq, për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare.
Suspendimi i tij është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ Nr.04/19 për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së.
Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, duke qenë profesionale në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve pa dallime, andaj nuk do të tolerojë përfshirjen e asnjë punonjësi në aktivitete apo veprime që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe udhëzimet administrative të PK-së.