Administrata Tatimore e Kosovës, ka njoftuar se për periudhën janar-tetor 2022 i ka inkasuar 111,1 milion euro më shumë apo 21,7 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, raporton teve1.info
Sipas njoftimit për medie, ky inkasim i të hyrave është përtej planit për afër 13 milion euro apo 2,1 për qind.
“Vlerësim për rritje dyshifrore të të hyrave së fundi ATK ka marrë edhe nga raportet ndërkombëtare, si ai nga Komisioni Evropian dhe PEFA. Në këto raporte theksohet se progres i mirë është bërë gjatë periudhës raportuese në lidhje me mbledhjen e tatimeve, ku të ardhurat e përgjithshme për vitin fiskal 2021 ishin 19% më të larta se në vitin 2020 (të hyrat e përgjithshme, ATK & Doganë)”, thuhet në komunikatën e ATK-së.
Sipas njoftimit, performanca e të hyrave vazhdon të jetë jashtëzakonisht e lartë, pavarësisht rishikimit të bërë të planit deri në fund vitit.
Po ashtu, vlen të theksohet se kjo rritje ka ndodh pa pasur ndryshim të normave tatimore.