Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vendimit të përfaqësuesve serbë për të dal nga institucionet e Kosovës.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se Beogradi po synon destabilizimin e Kosovës dhe se kjo nuk ka të bëjë me targat.
Ai po ashtu ka thënë se Vuçiqi ka gënjyer dhe zhgënjyer amerikanët dhe evropianët.
“Përfaqësues të Listës Serbe para një jave kanë thënë që do të organizojnë rezistencë të ashpër kundër gjobave. Mirëpo, nuk e pritën 21 nëntorin: Beogradi nisi kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës. Prandaj, diçka tjetër është në pyetje. Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët; ai shumë shpesh takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit. Po ashtu, duket që ish zëdhënësi i partisë së Milosheviqit, tash ministër i jashtëm i Serbisë, është më i pushtetshëm sesa ish ministri i informatave të Milosheviqit, tash presidenti i Serbisë. Kjo është betejë personale e tyre për pushtet, as për qytetarët dhe as për shtet”, ka shkruar Kurti.
Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në veri për qetësi dhe maturi, duke thënë se ai nuk është kryeministër kundër tyre por Beogradi është kundër meje.
“I ftoj të gjithë qytetarët serbë në Kosovë, që ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë. Unë nuk jam kryeministër kundër juve, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioritet imi janë luftimi i korrupsionit, pra drejtësia, dhe zhvillimi ekonomik, pra punësimi; barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje. Mos i bojkotoni ose braktisni institucionet e Kosovës. Ato na shërbejnë të gjithë neve, çdonjërit prej jush. Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike. Le t’i përmbahemi të gjithë bashkë vlerave demokratike dhe evropiane të sundimit të ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave, pluralizmit politik”, ka shkruar Kurti.