Është miratuar sot Ligji për caktimin e çmimeve tavan për produktet themelore, që ka për qëllim eliminimin e efekteve të rritjes së paarsyeshme të çmimeve.
Sipas Ministrisë së Industrisë, ndër masat e përkohshme mbrojtëse janë kufizimi i sasisë që i shitet konsumatorit, ndalimi i largimit nga shitja e produktit, caktimi i çmimit makimal të lejuar e po ashtu edhe kufizimi i eksportit, përcjell teve1.info
“Ndër masat e përkohshme mbrojtëse në raste të veçanta të destabilizimit në treg, të bazuara në evidencë dhe analizë të mirëfilltë, janë: kufizimi i sasisë që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar, ndalimi i largimit nga shitja e produktit, caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë, caktimi i çmimit maksimal të lejuar, detyrimi i operatorit ekonomik për të ruajtur pjesën e caktuar të stokut të produktit, detyrimi i operatorit ekonomik për t’u furnizuar dhe për të ofruar për shitje produktet themelore si para caktimit të masave mbrojtëse, ndalimi, kufizimi i eksportit”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast, Ministria e Industrisë ka bërë të ditur se produktet themelore në kuadër të këtij ligji janë: drithërat, miell gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezë pule, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, lëndët e drurit për djegie.
MI-ja thekson se qëllimi është të ndalohet abuzimi me ngritje të çmimeve me qëllim të shtimit të përfitimit.
“Projektligji është në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe çdo vendim i marrë sipas këtij ligji do të jetë në përputhje me zotimet dypalëshe mbrojtëse që Kosova ka marrë në kuadër të MSA-së dhe marrëveshjeve tjera ndërkombëtare”, thuhet tutje në njoftim.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës sot është miratuar në lexim të dytë projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
Ky projektligj u miratua me 64 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë votë kundër. /Teve1.info/