Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani për të rekomanduar emrat e personave të radhës për të plotësuar vendet e lira të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pas dorëzimit të mandateve nga deputetët e Listës Serbe. Lajmin e ka konfirmuar për Radio Kosovën zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar kërkesën nga presidentja e Republikës së Kosovës për të rekomanduar emrat e personave të ligjshëm të radhës për të plotësuar vendet e lira në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Duke u mbështetur në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përgatisë rekomandimin brenda afatit ligjor prej 5 ditësh pune nga momenti i marrjes së kërkesës”, ka shkruar Elezi.
Pasi një ulëse të mbetet e zbrazët në parlament, kryetari i Kuvendit i bën kërkesë me shkrim presidentit për mbushjen e ulëses së zbrazët. Pas pranimit të kërkesës “presidenti duhet të kërkojë nga KQZ-ja të rekomandojë emrin e personit për ta mbushur vendin e lirë. KQZ-ja duhet që në afatin prej pesë ditëve të punës nga momenti i marrjes së kërkesës t’ia ofrojë presidentit emrin radhës së personit të ligjshëm”, thuhet në nenin 112.4 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme./rtklive/