Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka pritur sot në takim një delegacion nga Franca me të cilët kanë biseduar edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në njoftimin e bërë nga MPB thuhet se ky takim u realizua me rastin e takimeve e shkëmbimeve të rregullta në kuadër të marrëveshjeve bilaterale me shtetin e Francës.
Këtë radhë delegacioni nga Franca ishte i përbërë nga zyrtarë të lartë nga Ministria e Jashtme dhe Evropë dhe Ministria e Brendshme, me ç ‘rast janë zhvilluar takime teknike punuese me ministritë tona përkatëse në fushën e bashkëpunimit policor, luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit, menaxhimit të migrimit, azilit, liberalizimin e vizave, frankofoninë dhe marrëdhëniet bilaterale.
Të dyja palët u pajtuan që Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi për viza dhe ka shënuar progres në vazhdimësi në fushat përkatëse si riatdhesimi, siguria e dokumenteve, rendi publik e luftimi i krimit të organizuar e korrupsioni si dhe të drejtat fundamentale njerëzore.
“Franca është jashtëzakonisht e kënaqur me bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informatave në fushën policore e të migracionit. Ky proces tashmë ka hyrë në fazën finale dhe po diskutohet në formatin e Grupit për Viza të Këshillit të BE-së. Si Republikë e Kosovës kërkuam përmbylljen sa më shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave meqë qytetarët tanë e meritojnë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e MPB-së.