Sot në Gjilan është hapur gjysmë maratona ‘Gjilani 2022’ e cila i kushtohet heroit tonë kombëtar Agim Ramadani, aktivitet ky i mbështetur nga Komuna e Gjilanit, Federata e Atletikës e Kosovës, familja dhe donatorët, ku ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni, i cili e ka përshëndetur këtë aktivitet sportiv.
Për ne është gjithmonë kënaqësi e veçantë që të përkrahim sportin, në këtë rast edhe organizimin e kësaj gjysmë maratone, që është një prej organizimeve të rralla në qytetin tonë, ka thënë kryetari Hyseni.
Ai është shprehur i bindur se në këtë gjysmë maratonë do të ketë shumë garues, ndërkohë që nuk e ka fshehur dëshirën që edhe vetë të vraponte, sikur shtegu të ishte më i shkurtër.
‘Me qejf kisha marrë pjesë edhe unë në këtë vrapim, por me gjasë është shteg më i gjatë se sa që mundem me përballua, por po shpresoj se ka me pas shumë pjesëmarrës në këtë garë që mbahet në nderim të heroit tonë kombëtar Agim Ramadani, por edhe për shkak se është një organizim unik”, ka thënë kryetari Hyseni, në konferencën për media me rastin e hapjes së gjysmë maratonës.
Kryetari Hyseni premtoi se përkrahjen e Komunës në organizime të tilla do ta ketë secili dhe secila që është aktiv dhe është i gatshëm të bëjë aktivitete të tilla
Ndërkaq, kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani tha se shpreson që kjo garë të bëhet tradicionale dhe të jetë sa më madhështore, me pjesëmarrje nga gjithë Ballkani dhe më tutje.
Mesazhet e tyre për garën i kanë përcjellje edhe drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kushtrim Zeqiri, përfaqësuesi i FSK-së, nënkryetari i Federatës së Sportit Universitar, Flamur Hyseni si dhe përfaqësuesi i familjes, Muhamet Ajrullahu.
Në emër të organizatorit, profesori Afrim Selimi ka thënë se gjysmë maratona ‘Vrapojmë shtigjeve të Agimit’ nis nga shtatorja e heroit në Gjilan dhe përshkon rrugën deri në Zhegër, vendlindjen e Agimit dhe anasjelltas.
Pjesëmarrësit do të jenë nga të gjitha trojet shqiptare. Ata do të vijnë në Gjilan për të nderuar veprën e Agim Ramadanit, në gjysmë maratonën që zhvillohet të dielën nga ora 11:00.
Gara do të organizohet në dy kategori, për meshkuj dhe femra, në 5 disiplina sportive.