Sot është mbajtur diskutimi i dytë i Grupit Punues të Këshillit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën. Por në këtë mbledhje nuk është arritur konsensus brenda vendeve anëtare të BE-së sa i përket propozimit të Francës që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionimin e sistemit ETIAS.
Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga Presidenca çeke, përcjell teve1.info
Sipas këtij njoftimi, megjithatë është bërë përparim në negociata.
“Më 10 nëntor, Grupi Punues për Vizat e Këshillit të BE-së mbajti diskutimin e dytë për liberalizimin e vizave me Kosovën nën Presidencën Çeke. Shtetet Anëtare diskutuan propozimin për kompromis të Presidencës mbi kërkesën për të lidhur liberalizimin e vizave për Kosovën me funksionimin e sistemit ETIAS. Pas një diskutimi të gjatë, nuk u arrit konsensus; vendet anëtare, megjithatë, bën përparim të rëndësishëm në negociata. Presidenca do t’i rikthehet diskutimeve dypalëshe dhe do të përpiqet të përfundojë sa më shpejt punën për këtë çështje të rëndësishme”, thuhet në njoftim.
Në mbledhjen e fundit të mbajtur më 13 tetor, Franca ka kërkuar që liberalizimi të kushtëzohet me vënien në funksion të sistemit për siguri në Evropë, ETIAS, të harmonizojë politikën e vizave me atë të Bashkimit Evropian, si dhe të rrisë kontrollin e kufijve dhe vazhdimin e riatdhesimit të atyre që duhet të lëshojnë territorin e BE-së.