Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde e ka cilësuar si absurd vendimin e kryeministrit Albin Kurti, lidhur me targat.
Përmes një postimi në Twitter, Rohde ka thënë se është rrezik një konfrontim i dhunshëm për targat, ndërkohë që Rusia po zhvillon luftë ndaj Ukrainës.
“Nevojitet urgjentisht vullneti politik për deskalim dhe kompromise në bazë të marrëveshjeve të Brukselit! Absurde të rrezikosh një konfrontim të dhunshëm për targat ndërkohë që Rusia po zhvillon një luftë brutale kundër Ukrainës me viktima tashmë të panumërta”, ka shkruar ai.
Më 28 tetor, Qeveria e Kosovës ka marrë masa të reja për qytetarët serbë pas mosndërrimit të targave në RKS. Sipas këtij vendimi filluar nga data 1 nëntor deri në datën 21 nëntor do të jetë masa e qortimit, pastaj nga 21 nëntori deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes. Nga 21 janari do të përdoren targa provuese për dy muaj të tjerë. Kurse pas 21 prillit nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Kosovë.
Ky vendim është cilësuar si zhgënjyes nga SHBA dhe Bashkimi Evropian, që kanë kërkuar shtyrje 10 muajshe të zbatimit të vendimit për targat ilegale.