Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga ky subjekt politik.
Përmes një postimi në Facebook, Salihaj bëri të ditur se për 18 vjet ishte kryetar i Degës së LDK-së në Ferizaj.
“Gjatë periudhës mbi 30-vjeçare të punës sonë të përbashkët, 18 vjet kam qenë në krye të degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj. Gjatë periudhës së paraluftës, dega e LDK-së në Ferizaj ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në të gjitha fazat dhe proceset e shtetndërtimit. Në periudhën e pasluftës, dega jonë ka luajtur, poashtu, rol të rëndësishëm në të gjitha proceset politike. Ishim bastioni më i madh i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i fituam zgjedhjet e pasluftës me rezultat shumë të madh. Padyshim që kishim edhe periudha të vështira, por që janë krejt normale në të gjitha partitë politike”, shkroi ndër tjerash ai.
Salihaj tregoi që arsye e largimit është që gjeneratat e reja të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të vazhdojnë punën dhe aktivitetin në LDK.
“Të dashur veprimtarë, sot kemi ardhur në një moment kur unë dua ta përfundoj periudhën e angazhimit partiak dhe të marrin përgjegjësi gjeneratat e reja, ta vazhdojnë punën dhe aktivitetin në LDK. Shpresoj se do të gjenden njerëz që do ta vazhdojnë vizionin rugovian dhe frymën e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, tri shtyllat kryesore dhe tri vlerat më të mëdha të partisë sonë, të vendosura nga Presidenti Rugova. Unë dëshiroj që, tash e tutje, t’i përkushtohem familjes dhe shkrimeve”, thuhet në postimin e tij.