Deputetet Rrezarta Krasniqi, kryetare e Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Kosovës dhe Arbëreshë Kryeziu Hyseni, zëvendëskryetare e këtij komisioni, po marrin pjesë në takimin Plenar LXVIII të Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Çështjet e Bashkimit Evropian të Parlamenteve të BE-së (COSAC), në Pragë të Çekisë.
Punimet e kësaj konference kanë filluar më 13 nëntor dhe do të zgjasin deri më 15 nëntor 2022.
Takimi Plenar i COSAC-ut është organizuar në kuadër të dimensionit parlamentar nga Presidenca Çeke e Këshillit të Bashkimit Evropian. Kjo konferencë e COSAC-ut mbahet në kuadër të gjashtë mujorit të Presidencës Çeke.
Temat kryesore që po zhvillohen janë kryesisht për çështjet e rëndësishme të Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të Partneritetit Lindor, e ardhmja evropiane, autonomia strategjike e BE-së, gjendja në Ukrainë – migrimi dhe rindërtimi i saj.
Kryetarja e komisionit, Rrezarta Krasniqi, gjatë fjalës së saj ka përmendur disa çështje kryesore të cilat janë me interes të përbashkët, të cilat janë të ndërlidhura natyrshëm ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si: interesi i përbashkët në aspektin e sigurisë, promovimi dhe mbrojtja e vlerave demokratike dhe mbështetja e tyre, çështjet ekonomike dhe gjeostrategjike etj.
Në veçanti, ajo ka potencuar procesin e vonuar të vendimmarrjes nga institucionet e BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Gjithashtu zëvendëskryetarja e komisionit, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, gjatë fjalës së saj u shpreh se Kosova e ka të qartë perspektivën e saj evropiane, dhe se është duke punuar fuqishëm që së shpejti edhe zyrtarisht të bëhet pjesë e BE-së.
Po ashtu, në margjinat e takimit Plenar të COSAC-ut, deputetja Rrezarta Krasniqi dhe Arbëreshë Kryeziu Hyseni, janë takuar me përfaqësues të ndryshëm të parlamenteve të shteteve anëtare të BE-së, por edhe të institucioneve të BE-së.
Në konferencën e COSAC-ut janë duke marrë pjesë përfaqësuesit e institucioneve të Republikës Çeke, përfaqësues të institucioneve të BE-së, si Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian, shtetet me statusin e vendit kandidat dhe kandidat potencial, vendet e partneritetit lindor etj.