Kombëtarja e Kosovës e ka mbyllur në barazim miqësoren kundër Armenisë. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” përfundoi me shifrat 2:2. Kosova në këtë ndeshje luajti kryesisht me lojtarë të rinj, të cilët shihen me potencial për të ardhmen.
Armenët kaluan të parët në epërsi, me golin e këmbëshpejtit Zhirayr Shaghoyan, në minutën e 24-t, i cili pothuajse nga gjysma e fushës vrapoi dhe në fund e finalizoi aksionin e tij. Me epërsinë e një goli u mbyll pjesa e parë, teksa në minutën e 67-të, Dardanët barazuan shifrat me golin e Lirim Kastratit nga penalltia.
Mysafirët e rikthyen epërsinë në minutën e 82-të, nëpërmjet Hovhannes Harutyunyan, i cili shfrytëzoi reagimin e dobët të mbrojtjes dhe nga brendësia e zonës e mposhti Bekajn.
Megjithatë, në frymën e fundit të ndeshjes Donat Rudhani arriti të barazojë shifrat në 2:2, me një gjuajtje nga vija e 16-metërshit, e cila u devijua nga mbrojtësi armen.
Ky njëherësh ishte edhe rezultati përfundimtar i kësaj ndeshjeje, në të cilën përzgjedhësi Giresse pati mundësi të shoh potencialin e futbollistëve që janë kandidatë për të qenë pjesë e Kombëtares edhe në ndeshjet e ardhshme. Kosova, të shtunën, do ta zhvillojë miqësoren e radhës kundër Ishujve Faroe, që njëherësh është ndeshja e fundit për këtë vit.