Nuk janë të rralla rastet kur Policia e Kosovës njoftohet nga QKUK-ja apo spitalet e përgjithshme për të miturat që dërgohen në këto institucione shëndetësore për të lindur. Vetëm vitin e kaluar rreth 100 vajza të mitura u bënë nëna, teksa raste të shumta janë raportuar edhe sivjet, raporton Gazeta Sinjali.
Rasti i fundit që është raportuar të enjten në Policinë e Kosovës, ka ndodhur në Ferizaj, ku një vajzë ka mbetur shtatzënë derisa ishe nën moshën 16-vjeçare, ndërsa gjatë ditës së djeshme është dërguar në QKUK për të lindur.
Pasi vajza është pranuar në Klinikën e Gjinekologjisë, nga spitali është njoftuar Policia, me ç’rast kanë dalë në vendin e ngjarjes, për të zbuluar më shumë detaje.
Burimet e Sinjalit nga klinika kanë bërë të ditur se e mitura kishte nisur bashkëjetesën me një person të moshës 21-vjeçare që rreth 1 vit.
Pas mbledhjes së informacioneve të para dhe identifikimit të personit të dyshuar, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Bashkësia jashtëmartesore me personin nën moshën 16-vjeç”.