Sa po ofrohet fundi i edicionit të garave të Vala Superligës së Kosovës në futboll lufta për kreun e tabelës po bëhet gjithnjë e më joshëse dhe e paqartë. Humbja e papritur e FC Prishtina në udhëtim nga Drenica (1:0), ka bërë të mundur që FC Drita nga Gjilani nesër të udhëtoj në Gjakovë me synim të vetëm për fitore ndaj Vllaznimit.
Një gjë e tillë duket të jetë mjaft e vështirë por jo edhe e pamundur! Superliga e Kosovës në futboll sa më shumë që po i ofrohet finishit të garave të edicionit 2017/2018 po bëhet gjithnjë e më joshëse e interesante.
Humbja e papritur e FC Prishtina në udhëtim te Drenica në kuadër të xhiros së 24-të ka shkaktuar akoma më shumë paqartësi në pjesën e epërme të tabelës. Kjo disfatë e liderit aktual në tabelë, FC Prishtina, ka ngjallur shpresat e skuadrës gjilanase FC Drita për të rrëmbyer lidershipin kur kanë mbetur për t’u zhvilluar nëntë xhiro deri në fund të garave.
E, për të arritur një gjë të tillë, skuadrën e kryetrajnerit Bekim Isufit, nesër e pret ferr i vërtetë në udhëtim te FC Vllaznimi në Gjakovë, skuadër kjo që në xhirot e fundit ka shënuar rezultate solide.
Sfidë aspak e lehtë e pret nesër edhe skuadrën tjetër gjilanase, FC Gjilani, e cila udhëton në Pejë me ambicie reale për fitore. Përkundër vështirësive nëpër të cilat po kalon kohëve të fundit kjo skuadër, fitorja eventuale do t’i shërbente si satisfaksion drejt konsolidimit në pjesën e mbetur të garave të këtij edicioni, duke mbajtur në këtë mënyrë hapin me skuadrat e pjesës së epërme të tabelës.
Ndërkohë Vllaznia nga Pozharani, e cila deri më tani nuk ka realizuar pritshmërinë e tifozërisë së saj, nesër do të ketë edhe një sfidë të vështirë. Ajo do të udhëtoj në Drenas me synim që të befasojë eventualisht skuadrën e Feronikelit, për të mbajtur gjallë shpresat deri në fund të kampionatit që t’i ikë dy pozitave të fundit të cilat e zbresin drejtpërdrejtë në një rang më të ultë garash.
Ndeshje mjaft interesante pritet të zhvillohet nesër edhe në Prishtinë në mes të Flamurtarit të rrezikuar skajshmërisht dhe Lirisë së Prizrenit. Varësisht nga epilogut që do të prodhojnë të gjitha këto takime do të mësohet edhe tabela përfundimtare pas javës së 24-të.
Gjendja aktuale në tabelë në Vala Superligë dëshmon për një edicion mjaft interesant garash deri më tani dhe rrjedhë akoma më interesante gjatë nëntë xhirove sa kanë mbetur për t’u zhvilluar deri në fund.