Gjilan- Gjykata Themelore në Gjilan njofton se do të respektojë vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ashtu që do të punohet vetëm me shërbime esenciale.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo gjykatë, ku thuhet se vendimi vlen deri më 8 dhjetor 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas kësaj gjykate, do të procedohet vetëm me rastet siç janë ato për caktimin e masës së sigurisë, shqyrtimet për rastet me paraburgim, rastet që kanë të bëjnë me të pandehurit me çrregullime mendore, trajtimi i kërkesave për sekuestrim dhe masa të përkohshme, ekzekutim të vendimeve penale, çështjet e dhunës në familje, ato të sigurimit të kërkesëpadisë, përmbarimi i vendimeve për rastet e dorëzimit të fëmijës dhe procedurat pvr dërgimin e personave në rehabilitim dhe të gjitha shërbimet administrative.
Njoftimi i plotë:
Gjykata Themelore Gjilan njofton palët se Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e 299-të, të mbajtur më 24 nëntor 2022, ka marr vendim ku janë listuar shërbimet esenciale që do të kryhen nga Gjykatat e Kosovës nga sot 24.11.2022 deri më 08.12.2022.
1.Të procedohen dhe mbahen seancat lidhur me masat për sigurinë e të pandehurve në procedurë, shqyrtimet për rastet me paraburgim dhe rastet që kanë të bëjnë me të pandehurit me çrregullime mendore;
2.Trajtimi i kërkesave për sekuestrim dhe masat e përkohshme
3.Ekzekutimi i vendimeve penale;
4.Çështjet e dhunës në familje (të gjitha fushat);
5.Çështjet e sigurimit të kërkesë padisë (të gjitha fushat);
6.Përmbarimi i vendimeve për rastet e dorëzimit të fëmijës, realizimi i kontaktit dhe alimentacioni si dhe rastet e tjera në çfarëdo procedure kur është në pyetje interesi I fëmijës;
7.Procedurat për dërgimin e personave në rehabilitim (të gjitha fushat);
8.Të gjitha shërbimet administrative”.
Sipas vendimit të KGJK-së, të marrë të enjten, janë theksuar shërbimet esenciale me të cilat do të punojnë tani e tutje gjykatat, deri në një vendim të radhës të Këshillit.
Ndryshe, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, në një konferencë për medie të mërkurën, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimi, me të cilin iu ulen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Zogaj tha se kanë marrë vendim, me të cilin puna e gjykatave reduktohet dhe do të punohet vetëm me shërbime esenciale.
Po ashtu, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), mori vendim me të cilin reduktohet puna e Prokurorive dhe punohet vetëm me staf esencial.
Si KGJK, ashtu edhe KPK, kanë njoftuar se nëse Qeveria nuk e anulon vendimin deri më 8 dhjetor, do të marrin masa të tjera.
Vendimi i KGJK-së dhe KPK-së erdhi pas vendimit të Qeverisë, me të cilin gjykatësve dhe prokurorëve iu ulen pagat.
Ndryshe, në mbledhjen e Qeverisë, të enjten. Kryeministri Albin Kurti mori vendim me të cilin, pagat në sistemin e drejtësisë u kthyen siç ishin para vendimit të marrë në vitin 2017, nga Qeveria Haradinaj.
“Kushti i paraparë për përjashtim të këtij ligji është plotësuar me nxjerrjen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese me ligjin e atëhershëm për paga, rrjedhimisht për të sjellë ligjshmëri plotësojmë këtë vendim duke shfuqizuar nenet relevante”, ka thënë Kurti.
Pas miratimit të Projektligjit për Pagat, Kryeministri Kurti, tha se ky projektligj krijon sistem të unifikuar të pagave.
“Propozimi i sotëm i kushton rëndësi të madhe kualifikimeve. Askush nuk mund të paguhet më shumë sesa pesëfishi u pagës më të ulët në administratën tonë”, ka thënë Kurti.
Lidhur me këtë vendim të Qeverisë, ka reaguar edhe shoqëria civile, duke e quajtur uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje në drejtësi dhe rritje të potencialit korruptiv.