Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka folur pozitivisht për marrëveshjen për targat, e arritur dje mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti ka deklaruar se beson që ka arritur marrëveshje të mirë me Serbinë për targat, duke theksuar kështu se tashmë palët do të përqendrohen në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve, duke u bazuar në planin “franko-gjerman” për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan lajmi.net.
Në fjalën e tij, Kurti i është përgjigjur edhe kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili i ka thënë se duhet të jetë bashkëpunues me opozitën pasi që do t’i duhet bashkëpunimi edhe për marrëveshjen përfundimtare.
“Unë as nuk mundem pa juve, as nuk dua pa juve”, i është përgjigjur Kurti Krasniqit.
Tutje, Kurti ka shkaktuar të qeshura në Kuvend, pasi u ka thënë deputetëve se duhet ta pranojnë që është kryeministri më i rregullt në seanca të Kuvendit.
“Edhe ju duhet ta pranoni që e keni kryeministrin më të rregullt ndonjëherë. Unë jam prezent në seanca ndonjëherë më shpesh se disa deputetë”, ka deklaruar Kurti.
E deklaratës së Kurtit i është përgjigjur deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili ka deklaruar se nuk është privilegj për deputetët që e shohin kryeministrin Kurti prezent në Kuvend, por se kjo është detyrë e tij që të jetë përgjegjës para deputetëve të zgjedhur nga qytetarët.