Fitim Salihu
Në vorbullën e zhvillimeve politike që ndodhën në Kosovë prej vitit 1981 e tëhu, por sidomos pas viteve ’90, që kulmuan me luftën çlirimtare më 1999, ngjarje të kushedisata historike janë harruar pothuajse plotësisht. Një ngjarje e këtillë është edhe Masakra e Gjilanit e dimrit të ashpër 1944-1945.
Përmasat e kësaj masakre ta kujtojnë vetëm Srebrenicën: 8000 të vrarë për vetëm dy-tre muaj të atij dimri të nëmur – një statistikë mbase e padëgjuar për ndonjë masakër ndër krahina shqiptare (referencë: dëshmitë okulare dhe librat e Tahir Zajmit, “Lidhja e Dytë e Prizrenit” e Fehmi Rexhepit, “Gjilani gjatë LDB-së”).
Duke qenë vetë nga ky qytet dhe duke qenë i rritur me rrëfenjat e dëshmitarëve të asaj ploje apokaliptike – më vonë edhe nga leximet historike – mu pat krijuar një ide që më rrinte në kokë që herët a vonë t’i përpunoj tërë ato kujtime dhe t’i sillja për lexuesin e ri, lexuesin që ose nuk ka pasur rastin të dëgjojë rreth kësaj masakreje ose sikur e ka vdirë nga kujtesa për shkak të largësisë kohore.
Masakra e Gjilanit ndodhi prej fundit të nëntorit 1944 dhe gjer në fillim të shkurtit 1945, pak ditë pas çlirimit të Gjilanit prej okupacionit gjerman, që në fakt, më shumë sesa çlirim, doli të ishte një pushtim serb. Gjilani u çlirua më 16 nëntor 1944 nga disa njësi bullgare, nga Brigada e III e Kosovës dhe Brigada e 25-të e Divizionit të 46-të serb, derisa më vonë do të dislokoheshin edhe Brigada e 2-të, e 3-të dhe e 5-të kosovare, si dhe Brigada e 16-të dhe e 17-të maqedonase. Me të hyrë në qytet – sidomos njësitë bullgare që në masë të madhe ishin ish-trupa fashiste bullgare të mobilizuara prej njësive antifashiste bullgare pas shtatorit 1944 – të ashtuquajturit çlirimtarë filluan me plaçkitje dhe vrasje.
Në fakt edhe i vetëquajturi “pushtet popullor” që u vendos në Gjilan udhëhiqej prej një nacionalisti që kishte vrarë shqiptarë që para luftës e i cili më pas ishte bërë me partizanët (kujtojmë që edhe AVNOJ-i jugosllav më 21 nëntor 1944 shpall amnistinë për ish-çetnikët nëse bashkoheshin me partizanët) – prej pasanikut Vllada Popoviq, të birit të Tomës, ish-deputetit të Partisë Radikale të Pashiqit në kohën e kralit, atentator më 1928 ndaj deputetëve kroatë.
Kësisoj, vrasjet ndaj shqiptarëve e turqve të qytetit nisën që në natën e parë. Që më 17 nëntor u vra kryetari i Bashkisë së Gjilanit i ardhur nga Shqipëria, Mustafa Natiku dhe sekretari Isak Brestovci. Ashtu u veprua edhe me shumicën e intelektualëve të qytetit, siç ishte poligloti, Sylejman Ashkiu (deputet i Parlamentit shqiptar, korrespodent i disa gazetave të huaja dhe ish-shok i Ataturkut), gazetari Aqif Tetova, ish-drejtori i centralit elektrik të qytetit, Muharrem Panduri, ekonomisti Sabit Efendi Maksuti, juristi Esat Berisha (udhëheqës i NDSh-së) e babai i tij Mulla Ymer Berisha, reshter Xhemajl Tupalla, imami i Malishevës, Mulla Mehmet Behluli (i ekzekutuar me singi), Faik Okllapi (i djegur në turrën e drunjve), etj.
Por, përgjithësisht, nga 16 nëntori gjer më 23 dhjetor, më shumë se sa vrasje masive, pati plaçkitje dhe maltretime në zyret e OZNA-s famëkeqe (për ata që e njohin qytetin, ish-zyrja e OZNA-s është akoma aty, një ndërtesë e vjetër karshi Postës kryesore) ose pushkatime jashtë qytetit, atje ku sot ndodhet Kombinati i Duhanit.
Por situata eskaloi pas 23 dhjetorit 1944, kur njësitë e Mulla Idriz Gjilanit dhe bashkëpunëtorëve të tij tentuan ta çlirojnë qytetin nga pushteti mizor i komunistëve jugosllavë. Atëherë filluan vrasjet jo vetëm të personave me influencë, por të secilit shqiptar që zihej rrugës. Vrasjet kryheshin zakonisht në grupe, me nga 50-60 vetë përnjëherë, madje edhe në qendër të qytetit, tek Ura e Maskatarit, në lumin mbi të cilën ishte ngritur kjo urë, në Dobrushë, thuhet se për ditë të tëra rridhte uji i kuq nga gjaku i të vrarëve që hidheshin aty.
Përkundër ndërhyrjes së vetë Fadil Hoxhës, asokohe komandant i Shtabit Operativ të partizanëve të Kosovës, ploja e Gjilanit jo që nuk u ndal, por u përshkallëzua po si një natë e Ferrit të Dantes.
Njerëzit likuidoheshin kryesisht natën, ndërkohë që pushteti detyronte romët e qytetit të bënin muzikë popullore serbe me tinguj të lartë në ato orë të mbrëmjes, ashtu që të mos dëgjoheshin thirravajat e këlthitjet e shqiptarëve që po keqtrajtoheshin (para se të pushkatoheshin të lidhur me litarë në grupe): iu rripej lëkura, iu priteshin kokat, goditeshin me çekanë e thika, qyski e singi, dru e sopata, digjeshin në turra drunjsh, digjeshin me saç të nxehtë, përvëloheshin me ujë të vluar, etj.
Gjilani e pa një dritë në fund të tunelit kur në qytet ia behu Brigada e 7-të kosovare me komandant Shaban Haxhinë, një oficer shqiptar nga Paci i Tropojës, fjalët miradije për të cilin edhe sot janë bartur brez pas brezi në Gjilan, si për Mesinë që erdhi ta shpëtojë një popull të tërë nga tmerri. Nipi i tij, Shaban Haxhi Demaliaj, më 1998 do ta botonte në Tiranë një libër me kujtimet e Shaban Haxhisë, ku ky i fundit risjellte tmerrin që e kishte parë me sytë e vet ato ditë, ku nëpër çdo sokak e skutë të Gjilanit haste grupe me nga 60 e 70 shqiptarë të masakruar, trupa me koka të prera e të hedhura njëzet metra larg trupit, tru njerëzish në rrugë, dhjetëra këpucë të zbathura e plot me gjak, etj.
Shaban Haxhia, pasi që Fadil Hoxha ia bëri me dijë se kumtesat e tij s’po i merreshin parasysh “atje lart”, mënyrën e vetme për të shpëtuar sa më shumë gjilanas e pa duke i mobilizuar ata në brigadën e tij dhe duke i nisur në frontin e Sremit për të ndjekur njësitë gjermane. Mijëra burra gjilanas i shpëtoi në këtë mënyrë.
Pjesa më e madhe e masakrave masive në Gjilan u kryen në netët e 23, 24 dhe 25 dhjetorit, në vigjilje të Krishtlindjeve, si një ndjellë e kobshme që Gjilani do duhej bërë theror e kurban – shqiptarët merreshin që me natë a në ag të parë nga lagjet e qytetit, por edhe nga fshatrat, ashtu siç ishin duke fjetur, me këmishë e brekë. Vetë një serbe gjilanase, mjekja Angja Todoroviqi, gruaja e avokatit të njohur, Pera Todoroviqit, thuhet se kur vizitoi burgjet e OZNA-s dhe pa tmerrin e masakrave ndaj shqiptarëve, i tha shefit të OZNA-s se “kështu as me shtazë nuk veprohet, e lëre më me njerëz.” Ajo pësoi shok dhe nga traumat e pamjeve që pa, brenda një kohe të shkurtër vdes.
Thuhet se edhe më 6 janar 1945, natën e Krishtilindjeve ortodokse (Bozhiqit të serbëve) pati një kasaphanë të vërtetë ndaj shqiptarëve, ku jo vetëm ushtarët e OZNA-s, por edhe serbët lokalë (sidomos të lagjes serbe të Varoshit), të dehur siç ishin, nxirrnin shqiptarët nga shtëpitë e tyre dhe i therrnin me thika në mes të qytetit.
Në librin e historianit Reshati Ramadani me titull “Gjilani: terrori, represioni dhe eksodi 1944-1956” gjenden emrat e të gjithë të vrarëve të këtyre muajve në Gjilan sipas mëhallave ku banonin.
Sot, 71 vite më pas, kjo ngjarje nuk kujtohet, përkundër që në Gjilan vazhdon të flitet me mbamendje për të. Prandaj, në kujtim të atyre 8000 viktimave të terrorit serb të nëntorit e dhjetorit 1944 dhe janarit 1945, po e botoj këtë shkrim që assesi nuk mund ta përmbledhë tmerrin e Masakrës makabre të Gjilanit, asaj që në krye e quajta si kipce të Srebrenicës, si lemeri e një qyteti të tërë të larë në gjak dhe të detyruar që ta ndrydhë thellë në kujtesën e tij të dhimbshme për 50-60 vite këtë gjëmëzezë.