Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës, i cili ka thënë se në Bruksel nuk shkon për të biseduar për targa, por për marrëveshje përfundimtare.
Vuçiq ka thënë se Kurti “mund të shkojë në Bruksel kur të dojë, si të dojë, është dëshirë e tij”.
Vuçiq ka thënë se nëse për Kurtin çështja e statusit ka marrë fund edhe për të poashtu.
“A ka thënë se për të çështja e statusit ka marrë fund…edhe për mua çështja e statusit ka marrë fund për kohë të gjatë, në pajtim me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të OKB-së”, ka thënë Vuçiqi në Norvegji. “Kaloftë mirë në Bruksel”, citojnë mediat serbe deklaraten e tij.
Kurti në gazetën gjermane ditë më parë u shpreh se në Bruksel shkon për të negociuar për marrëveshjen finale, që sipas tij, duhet të arrihet deri në pranverën e vitit 2023.
Se Vuçiq nuk është i gatshëm për një marrëveshje përfundimtare e ka thënë edhe eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben-Meir në një përgjigje për Teve1.info.
“Besoj se përpjekjet për normalizim duhet të vazhdojnë, ne nuk duhet të mbajmë frymën në pritje të një përparimi në këtë drejtim. Presidenti i Serbisë Vuçiq nuk është afër arritjes së ndonjë marrëveshjeje që do të normalizonte plotësisht marrëdhëniet me Kosovën dhe do të çonte në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi”, ka deklaruar ai.