Oda e Hotelierisë dhe e Turizmit të Kosovës (OHTK), këtë të martë në Gjilan kanë mbajtur tryezën me titull” Nevoja dhe rëndësia e Raportimit të të dhënave të turizmit nga bizneset tek Agjencioni i Statistikave të Kosovës”.
Fillimisht në këtë temë është paraqitur dr. Hysen Sogojeva, kryetar i OHTK-së, i cili ka thënë se ky takim ka për qëllim sensibilizimin e rëndësisë për nevojën e Raportimit të të dhënave të turizmit nga bizneset tek Agjencioni i Statistikave të Kosovës, ngase gjithnjë duhet referuar të dhënave të këtij agjensioni, gjë të cilën e ka thënë edhe Elhmi Idrizi, kryetar rajonal i OHTK-së, i cili ka thënë se edhe rajoni i Gjilanit ka mundësi të zhvillimit të kësaj lëmie. Enver Shabani, drejtor për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, ka thënë se drejtoria që udhëheq ai gjithnjë ka komunikim të vazhdueshëm me të gjithë faktorët relevantë dhe se këto statistika janë shumë të nevojshme. Edhe Besnik Ymeri, drejtor për Zhvillim Ekonomik në Viti, ka thënë se kjo pjesë e Kosovës nuk ka ndonjë traditë në turizëm, kurse as komunat nuk i kanë dhënë ndonjë hapësirë të duhur kësaj veprimtarie, andaj ka kërkuar që komunat së paku t’i japin hapësirë elementare promovimit të vlerave kulturore e historike. Sipas tij, kjo marrëveshje do të ndihmonte në bashkëpunimin e mëtejmë e sipas tij, Vitia në vitin 2023 ka një projekt për zhvillimin e turizmit.
Përfaqësuesja e Sëiscontact, ka thënë se turizmi është një industri, por që varet edhe nga degë të tjera të infrastrukturës. Jo tha se në Kosovë turizmi është në rritje dhe tashmë ka 30 operatorë të regjistruar për këtë qëllim e bashkëpunimi me ASK-në është i mirë, por që edhe më tej duhet të përmirësohen të dhënat e turizmit në Kosovë.
“Në Kosovë sa i përket turizmit kemi një start të mirë e ata janë mërgimtarët, që vijnë për çdo vit, andaj të dhënat i duhen Kosovës për të aplikuar në organizatat botërore të turizmit”.
Edhe përfaqësuesi nga ASK, tha se është i rëndësishëm futja e të dhënave nga turizmi, ngase OHTK-ja p.sh shumë vështirë do t’a kishte që të përballojë pandeminë, e cila kishte goditur më së shumti këtë sektor. Nga Zyra Regjinonale e Statistikave në Gjilan, udhëheqësi Kërqeli, ka thënë se po përballen me vështirësi në grumbullimin e të dhënave dhe se ai shpreson se nga ky takim do të dalim më të vetëdijesuar dhe se tash e tutje do të raportohen të dhëna të sakta.
Guxim Neziri, nga ASK ka prezantuar aplikacionin më të ri për futjen e të dhënave të veprimtarisë së hotelierisë dhe turizmit , kurse pjesëmarrësit në diskutim, Sabri Kajtazi nga “Istambull Bakllava”, Arianit Sllamniku, – Agroturizmi Rural, Metush Zymberi – afarist i njohur në disa veprimtari dhe dikutues të tjerë janë cekur problemet me të cilat po përballet kjo veprimtari dhe kanë kërkuar mbështetje nga organet kompetente sikurse që kanë shprehur gatishmërinë që të jenë pjesë e kësaj nisme të qëlluar.
Nga ky takim dolën konkluzionet se bashkëpunimi në këtë aspekt duhet të jetë më i mirë, që oda të organizojë takime më të shpeshta, që të dhënat të jenë më të sakta, u pajtuan se aplikacioni është i mirë, se duhet të rritet numri i pjesëmarrësve në takimet e radhës, se duhet të koncentrohemi si shoqëri kah rritja e zhvillimit të turizmit rural dhe se duhet të fuqizohemi me të dhënat e statistikave. /kryelajmi.com/.