Shteti nuk është pushteti, siç mund ta keqkuptojnë militantët e Vetëvendosjes. Gruaja shtatzënë është vrarë për shkak se instituconet, pra shteti, ka dështuar ta mbrojë. Pushteti ka përgjegjësi që të veprojë, e jo të vajtojë. Ka përgjegjësi politika e morale. Hamide Magashin e ka vrarë shteti, në krye të të cilit është Albin Kurti.
Imer Mushkolaj
Militantët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët i lexojnë vetëm titujt e shkrimeve, jam i sigurt se që tash do t’i nisin sharjet e fyerjet. Njësoj kanë bërë këto ditët e fundit ndaj të gjithë atyre që vrasjen e gruas shtatzënë nga ish-bashkëshorti e kanë vënë në përgjegjësi të shtetit. Pra të shtetit, si konstrukt politik e shoqëror, e jo të pushtetit.
Disa nga baltosësit e kërcënuesit jam i sigurt që nuk e dinë dallimin ndërmjet shtetit dhe pushtetit. Të tjerëve mund t’ua thotë mendja se Albin Kurti, pasi që është në pushtet, është vetë shteti. Por, sharjet, fyerjet e linçimet që të gjithë i bëjnë në përpjekje për ta mbrojtur kryetarin e partisë njëherësh kryeministër. Por, përpjekjet dështojnë në rastet kur idhulli i tyre tregohet skandaloz në reagimet publike për një rast kaq të rëndë, si ky i vrasjes se Hamide Magashit.
Së pari, ai në mënyrë skandaloze foli për burrin që qëlloi mbi gruan “që duhej ta mbronte”, duke ushqyer kështu mendësinë patriarkale se burri po u dashka ta mbrojë gruan, se ajo nuk qenka e zonja të mbrohet vetë dhe se duhet të mbrohet nga shteti. E shteti nuk është kryeministri, as partia.
Së dyti, ai e dehumanizoi dhe e “kombëtarizoi” viktimën, “Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë”, shkroi kryeministri, duke i dhënë gjithë tragjedisë sfond folklorik e politik. Pra, një ngjarje të rëndë tragjike, vetë kryeministri e politizoi. Se për çfarë arsye, e di ai më së miri. Por, se ishte qasje skandaloze, vetëm militantët e verbuar nga dashuria për idhullin nuk e pranojnë.
* * *
Militantët kërcënues e linçues duhet ta dinë, pra, se pushteti nuk është shteti. Nëse nuk e dinë, duhet të lexojnë e ta mësojnë se shtetin e përbëjnë të gjithë, shoqëri e institucione, që në rastin e krimit makabër dështuan të kryejnë punën si duhet.
Ata duhet ta dinë se përgjegjësia në këtë rast është zinxhirore – që nga institucionet përkatëse lokale e policia, deri te prokuroria e gjykata. Pavarësisht se gruaja kishte urdhër të mbrojtjes, institucionet dështuan që ta mbrojnë atë nga vrasësi. Pra, gruaja ishte nën mbrojtje të shtetit dhe shteti dështoi ta mbrojë. Ajo u vra në duar të shtetit, pra, u vra nga shteti. Çdo interpretim tjetër ose përpjekje për ta aministuar këdoqoftë nga zinxhiri përgjegjës për mbrojtjen e një jete është i kotë. Siç është e kotë edhe përpjekja për ta mbrojtur me çdo kusht pushtetin e Albin Kurtit nga kushdo, e në këtë rast qoftë edhe nga përgjegjësia morale për krimin e ndodhur.
Rasti i Hamide Magashit duhet të shërbejë si alarm i fortë për pushtetin, për shtetin, për institucionet që forcojë rendin e ligjin për raste të tilla dhe të tjera të ngjashme. Është alarm për shoqërinë që të merret më shumë me veten, me edukimin dhe të reflektojë për mënyrën se si trajtohen vajzat e gratë.
Në një status tjetër problematik në Facebook, kryeministri Kurti mbajti një ligjëratë. “Kur vritet gruaja tashmë është bërë vonë. Zgjimi shoqëror edhe po ngjan vonë edhe po zgjat shkurt. Një a dy protesta të nesërmen, dhe: mirupafshim pas vrasjes së ardhshme”, tha ai.
E vërtetë. Por, kryeministri nuk është aktivist, as zyrtar i ndonjë OJQ’je. Shoqëria është që ta ngre zërin nëpërmjet protestave, e shteti është të reagojë, të veprojë, të marrë vendime që t’i mbrojë vajzat e gratë nga dhuna, nga vrasja, nga krimi.