Sot është mbajtur mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës në të cilën është caktuar seanca e radhës e cila do të mbahet të premten.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë njoftoi se në seancën e Kuvendit e cila do të mbahet të premten do të votohet Ligji për Paga, raporton teve1.info.
“Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kjo është ndër seancat më me rëndësi për shkak se në trajtim vjen ligji i shumëkërkuar, Ligji i Pagave i cili fatkeqësisht e ka emrin ligji i pagave por nuk dihet se sa është rroga e një zyrtari publik për shkak se nuk ka as koeficient e nuk as vlerë e koeficient”, tha ai.
Tutje Tahiri bëri të ditur se të premten në Kuvendin e Kosovës si pikë e rendit të ditës do të jetë edhe ligji për zyrtarët publik.
“Po ashtu në këtë seancë do të vijë edhe ligji për zyrtarët publik që për mua personalisht ai ligj nuk është ligji për zyrtarët publik por është ligji për kapjen e zyrtarëve publikë”, shtoi ai.
Po ashtu Tahiri njoftoi se në seancën e radhës do të vijnë edhe disa ligje të tjera të cilat sipas tij janë në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese.
Në fund të konferencës deputeti i AAK-së pati edhe një porosi për Qeverinë Kurti.
“Të kthehet në fokus tek jeta e qytetarëve, të ketë fokusin tek problemet serioze, ekonomike dhe në sektorët vital si në shëndetësi dhe arsim, t’i len agjendat e ngushta në mënyrë që me ligj me shtri kapjen e shtetit gjithandej”, tha ai në fund.