Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se ka pezulluar katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë ligjore pas publikimit të lajmit se janë zhdukur mostrat e Astrit Dehatit.
“Pas pranimit të informacionit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisioni Disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore/ Ministria e Drejtësisë, mori vendim për pezullim nga puna të zyrtarëve: Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore; Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore; Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore; Ilirjana Shala, Kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore”, thuhet në njoftim.
Gjatë ditës, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se të mërkurën në mbrëmje është informuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga laboratori në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga laboratori toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ky është një akt i rëndë, ky është një akt kriminal, për këtë arsye mbrëmë kam njoftuar prokurorin e shtetit, Besim Kelmendin si dhe drejtorin e policisë”, tha Haxhiu gjatë një konference të jashtëzakonshme për media, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo shtoi se në mëngjes ka vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe nga zyrtarët kompetent është informuar se cilat mostra janë zhdukur.
“Mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një epruvetë e lukthit nga këto institute dy epruveta me gjak i janë kaluar Institutit Zviceran dhe një policisë për ADN, pra aktualisht sipas informacioneve, sepse unë nuk kam qasje në vendin ku ruhen mostrat, por sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit”, shtoi Haxhiu.
Tutje, Haxhiu tha se në vendin ku ruhen epruvetat kanë qasje vetëm tre persona, duke shtuar se sipas informacioneve vetëm tre persona kanë çelësat në vendin ku ruhen mostrat.
“Çdo kush që ka ndjekur sado pak rastin mbi vrasjen e Astrit Deharit dhe procesin hetimor për këtë, e ka të qartë se prej 6 vitesh të gjitha të dhënat, të gjitha provat, dëshmitarët dhe çdo rrethanë e faktorë është synuar të shtrembërohet, zhduket apo të eliminohet, njëjtë ka ndodhur edhe me këtë dëm që ka pasur qëllim për të zbardhur këtë rast”, ka shtuar tutje ajo.
Haxhiu tha se beson se ky akt ka qenë motiv për të dëmtuar përfundimisht këtë proces.
“Ne besojmë se ky akt i rendë e kriminal që ka ndodhur në ambientet që duhet të ishin të sigurta ka një motiv si më herët, të dëmtojnë edhe më tej dhe përfundimisht këtë proces”, tha ajo.
Ndërkaq, zhdukja e mostrave sipas saj është vërejtur gjatë ndërrimit të frigoriferëve nga të vjetrit në të rinjtë.
“Ky akt i rend është vërejtur dje gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në ata të rijnë, por jam e bindur që ka qenë çështje kohe që ata që e kanë orkestruar do ta plasonin si një veprim dëmtues të procesit në përgjithësi”, tha Haxhiu.
Haxhiu thotë se i di emrat e personave që kanë qasje në këtë institucion , në Departamentin e Laboratori i toksikologjisë, por nuk mund t’i thotë për faktin se tashmë të njëjtit i dinë edhe policia edhe prokuroria.
“Këtë guxim të mbrapsht mund ta kenë vetëm ata që për motiv kanë dëmtimin final të rastit Dehari, por po ju them kë tu dhe publikisht që autorë t do të gjinden dhe rasti do të zbardhet me çdo kusht”, tha Haxhiu.
E njëjta u ka bërë thirrje drejtorit dhe punëtorëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore që të bashkëpunojnë me policinë dhe prokurorinë dhe të ndajnë me ta secilin informacion që e kanë.
Ajo ka shtuar se çdo minutë vonesë në zbardhjen e këtij rasti është e papranueshme për familjen, të afërmit dhe për ne si institucione dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.
Haxhiu bëri të ditur se gjithashtu se edhe më herët janë dërguar raste në prokurori pikërisht që kanë të bëjnë me raporte ndërkolegiale , mirëpo sipas saj ky rast kalon çdo kufi.
“Marrë parasysh se për këtë rast ka kaq shumë vëmendje e monitorim i vazhdueshëm, përfytyroni çka mund ti ndodhë një rasti fatkeq që ndodhe jashtë syve të opinionit publik”, ka theksuar Haxhiu.
Astrit Dehari ishte arrestuar si i dyshuar për sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, që kishte ndodhur më 4 gusht, 2016, bashkë me disa aktivistë tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërsa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ai vdiq më 5 nëntor, 2016. /BetimipërDrejtësi