Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar pas tensionimit të situatës në veriun e Kosovës, teksa ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe mbi EULEX-in.
Ai ka thënë se barrikadat e vendosura në veri bien ndesh me çdo ligj, teksa ka thënë se një situatë e tillë vështirëson gjërat, raporton Zeri.info.
Rama ndër të tjera ka thënë se Beogradi duhet t’i përgjigjet me të njëjtën frymë, shtyrjes së datës së zgjedhjeve në veri, nga presidentja Vjosa Osmani.
“Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese!”, shkroi ai.
Kryeministri shqiptar në në situatë të tillë u shpreh se BE-ja duhet të ftojë të dyja palët në takim urgjent.
“Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor. BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut”, shkroi ai në Twitter.