Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu, tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian është shumë me rëndësi që u dorëzua gjatë Presidencës çeke në BE.
Madje, Kryeziu tha se njëra nga arsyet për dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në BE ishte ndryshimi i percptimit për Kosovën nga pesëshja mosnjohje.
“Është e rëndësishme që aplikimi po dorëzohet gjatë kohës sa Presidenca Çeke udhëheq me Bashkimin Evropian. Hapi ynë drejt dorëzimit të aplikimit do t’i hapë rrugë Kosovës për negocim brenda vendeve të Bashkimit Evropian. Pjesa më e rëndësishme është kur dorëzohet aplikimi dhe pastaj fillojnë negocimet me shtetet për ta përkrahur kërkesën e Kosovës për t’u bërë anëtare. Prandaj, është faza më e vështirë dhe më e rëndësishme. 5 shtetet e BE-së që ende nuk e njohin Kosovën, kanë ndryshuar komplet perceptimin e tyre për Republikën e Kosovës, dhe ky është element shumë i rëndësishëm. Përndryshe, nuk do e kishim marrë një hap kaq historik siç ishte ai sot”, deklaroi Kryeziu në emisionin “Ditari” në tëvë1.
E pyetur se a ka frikë të jetë e gjatë çështja e anëtarësimit në BE, Kryeziu tha se është e rëndësishme të mos zgjasë aq sa ka zgjatur në tërësi çështja e liberalizimit të vizave.
“Megjithatë, qëllimi ynë është që në kohë rekord të arrijmë ta plotësojmë këtë aspiratë tonë të kamotshme”, tha tutje ajo.
Kujtojmë se sot është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Në ceremoninë e nënshkrimit morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti.