Zëvendëskryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, ka reaguar ndaj presidentes Vjosa Osmani, për të cilën thotë se në adresimin e saj vjetor para Kuvendit të Kosovës e shpalli të vdekur idenë dhe shpresën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për t’u bashkëngjitur me Kosovën.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ishte i angazhuar që ta bashkojë Luginën me Kosovën, transmeton Klankosova.tv.
“Të dashur shqiptarë e shqiptare të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës! Sot, në parlamentin e Republikës së Kosovës presidentja e vendit shpallë të vdekur idenë e shpresën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkëngjitje me Kosovë. Me këtë, njëkohësisht shfuqizon Referendumin e 1 e 2 marsit të vitit 1992, luftën e UÇPMB-së dhe aspiratën shekullore të shqiptarëve të këtyre trojeve për ribashkim me Republikën e Kosovës”.
“Asnjëherë nuk ka qenë në të kaluarën si të afërme por edhe të largët shkëmbimi territorial në mes Kosovës e Serbisë. Por, ka pasur një angazhim e zotim të presidentit Thaçi që të ribashkoj Preshevën, Medvegjën e Bujanocin me Republikën e Kosovës”.
“Rikujtojmë, se nuk mund të ketë presidente e as president as në Kosovë e as në Serbi, që të shuaj për dhe, jo vetëm dëshirën e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës por as edhe dokumentet e saja për përcaktueshmëri e vetëvendosje të tyre se ku duan të jetojnë”,ka shkruar Mustafa.