Edhe në të kaluarën kishte shërbyer si lokacion për ngritjen e barrikadave.
Në Jagnjenicë të Zubin Potokut bllokada u vendosë sërish, pasi që të tilla paraprakisht u ngritën anekënd zonave veriore të populluara me shumicë serbe.
Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme që barrikadat të hiqen, ato vetëm sa po vijnë e po shtohen. Këtë herë strukturat kriminale kanë ngritur dy kamionë me gurë në mes të fshatrave Zupç, Çabër dhe Jagnjenicë.
Megjithatë, rrugët që të lidhin me magjistralen e Adriatikut dhe ato që të dërgojnë në Zubin Potok e Zveçan ishin të hapura për kalim.
Qarkullimet në këto rrugë po vëzhgoheshin edhe me kamera të sigurisë.
Në afërsi të barrikadave qëndronin dy automjete të KFOR-it letonez dhe policë të Kosovës.
E pas një kohe këtyre u erdhën kolegët për t’i ndërruar.
Jo larg Jagnjenicës, në afërsi të fshatit Çabër vazhdonin të qëndronin barrikadat e vendosura më parë.
Rreth 500 metra afër këtyre barrikadave qëndronte një njësi e misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX.
Kalimi në këmbë te këto bllokada nuk ishte i vështirë.
Megjithatë qarkullimi me veturë bëhej në rrugë alternative.
Barrikadat e para nisën të ngriheshin qysh nga e shtuna pas arrestimit të ish – policit serb, Dejan Pantiq.
Pantiq dyshohet se ka sulmuar zyrat e KKZ-së në veri dhe bazuar në këto dyshimi atij i janë caktuar 30 ditë paraburgim.