Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin se heqja e barrikadave në veri të vendit nuk mund të mos përjashtojë edhe viktimat.
Për këtë ai ka thënë se janë të kujdesshëm për të shmangur një destabilizim të situatës.
Por, kryeministri në një intervistë për The Guardian, ka thënë se këto barrikada nuk mund të lejohen përjetë.
“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe se paqja e siguria të jenë në vend. Megjithatë, këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë nuk mund ta lejojmë përjetë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë të një mendje për heqjen e barrikadave, por se edhe ata janë të shqetësuar se si do të përdoret kjo situatë.
“BE-SHBA të gjitha pajtohen që barrikadat duhet të hiqen. Por ata janë gjithashtu të shqetësuar se si kjo mund të përdoret dhe abuzohet nga Beogradi. Mendoj se shqetësimi i partnerëve dhe miqve tanë perëndimorë janë lidhjet e Beogradit me Moskën. Nuk e dimë se si mund të vihen në funksion në rast të rritjes së tensioneve, drejt përshkallëzimit në veri”, ka deklaruar Kurti.
Sot është dita e 11 me radhë që disa rrugë në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë të bllokuara nga kamionët që serbët lokalë kanë vendosur në shenjë proteste.
Krejt kjo pas arrestimit më 10 dhjetor të ish-pjesëtarit të Policisë, Dejan Pantiq, në pikëkalimin kufitar në Jarinjë.
Policia e Kosovës ka thënë se në veri të Mitrovicës janë të vendosura 9 barrikada.