Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, së bashku me kryesuesin e Kuvendit, Arianit Sadiku, zëvendësministrin e Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe drejtorin e Fondit Kosovar për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), Ahmet Ismaili, kanë vizituar të enjten shkollën “Rexhep Elmazi”, për të parë nga afër punët që janë duke u zhvilluar në kuadër të projektit të efiçiencës së energjisë.
Kryetari Hyseni me këtë rast i ka falënderuar për vizitën dhe mbështetjen e ofruar për Gjilanin në aspektin e efiçiencës së energjisë.
“Janë bërë intervenime të ndryshme brenda shkollës në kuadër të masave të efiçiencës së energjisë, ndërkohë që në kuadër të këtyre punimeve ne si Komunë kemi bërë edhe renovimin dhe ndërhyrjen në disa pjesë të shkollës që janë konsideruar të nevojshme”, ka thënë kryetari Hyseni.
Drejtori i Fondit Kosovar për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), Ahmet Ismaili, ka njoftuar se vlera e investimit në këtë shkollë e kalon shifrën 150 mijë euro, ku përfshihet izolimi termik, ndërrimi i dritareve, ngrohja, kaldaja etj.
“Përgjithësisht jemi këtë kënaqur me dinamikën. Komuna ka kryer edhe disa punë shtesë për ta bërë më të përshtatshëm objektin për nxënësit”, ka thënë ai.
Getoar Mjeku, zëvendësministër i Ekonomisë, ka theksuar se efiçienca është shumë e rëndësishme për sektorin e energjisë për shkak se shfrytëzohen më mirë burimet tona energjetike dhe kujdesemi ndaj mjedisit.