Duke folur për zhvillimet e fundit në veri, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se barrikadat e vendosura janë praktikë e njohur për të gjithë, pasi po organizohen nga grupe kriminale të armatosura.
Në një konferencë për media, ai theksoi se institucionet e Kosovës kanë të gjitha kapacitetet e nevojshme për të larguar këto barrikada, por se po presin nga KFOR-i, përcjell teve1.info
“Më duhet të ritheksoj që ne të kemi të gjitha kapacitetet e nevojshme për largimin e këtyre barrikadave, për shkak të situatës jemi në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe presim që sa më parë të veprohet nga KFOR-i. U bënë 13 ditë dhe situata vazhdon të jetë e njëjtë apo mund të themi se është rënduar”, tha ai.
Ai po ashtu u bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës dhe të mos bien pre e presioneve dhe shantazheve në Beograd.
Tutje ai po ashtu dha detaje për shëndetin ish-pjesëtarit të Policisë, Dejan Pantiq i cili është arrestuar nën dyshim për sulme në veri.
Sipas tij, gjendja e Pantiq është e mirë dhe ka trajtimin e duhur, por se transferimi i tij duhet të bëhet në qendrën përkatëse e jo në stacion policor.
“Por padyshim që ai do të duhej të ishte në qendrën përkatëse për mbajtje, e jo në stacion policor. Lidhur me ketë rast ne kemi proceduar kërkesën tek partnerët tanë për transferimin e tij në objektet adekuate, që të vazhdojë paraburgimin dhe procedurat e mëtutjeshme, prandaj për ne mbetet prioritet transferimi i tij përmes bashkëpunimit me partnerët tanë”, shtoi Sveçla. /Teve1.info/