Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka shkarkuar nga funksioni fotografin e tij, Geralld Nikoliqin.
Nikoliqi është shkarkuar të enjten nga funksioni i tij brenda Kabinetit të Kryeparlamentarit pas arrestimit nën dyshimin për dhunë në familje, ka mësuar Paparaci nga burime të afërta brenda Kuvendit të Kosovës.
Ish-fotografi i kryeparlamentarit Konjufca është arrestuar të enjten nën dyshimet për sulm fizik ndaj bashkëshortes së tij.
Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Me vendim të prokurorit, Nikoliqi është dërguar në mbajtje.
Para se të punësohej në Kabinetin e Kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Geralld Nikoliqi ka shërbyer si fotograf i Lëvizjes Vetëvendosje./Indeksonline/