Dita Botërore e Ujit, në Gjilan është shënuar me aktivitete të ndryshme nën organizimin e Kompanisë Regjionale të Ujit “Hidromorava”, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe me Komunën e Gjilanit.
Pikturimi i peisazheve ishte njëri nga aktivitete që është realizuar nga nxënësit e shkollës së Artit Pamor, që për shkak të kushteve klimatike është mbajtur në objektin e “Hidromoravës”.
Aktiviteti tjetër i planifikuar ishte edhe vizita në Fabrikën e Përpunimit të Ujit në fshatin Përlepnicë nga delegacione të ndryshme nga niveli lokal dhe qendror, me një theks të veçantë të një numri të konsiderueshëm të studentëve nga profile të ndryshme të universitetit të Prishtinës.
Në kuadër të kësaj, është mbajtur edhe një tryezë “Natyra dhe Uji”, ku është dhënë rëndësi e veçantë ruajtjes dhe mbrojtjes së natyrës në përgjithësi dhe ujit, si domosdoshmëri e një jete më të mirë për të gjithë qytetarët.
Drejtori i KRU “Hidromorava”, Muhamet Suliqi, ka kërkuar nga të pranishmit një kujdes të shtuar për ujin në përgjithësi e veçanërisht për ujin e pijshëm, sepse sipas tij nevojat e qytetarëve janë shumë të mëdha dhe kërkohet kursim maksimal. Suliqi poashtu ka thënë se të gjitha standartet plotësohen me ujin që furnizohen qytetarët e Gjilanit, duke kaluar uji nëpër disa kontrolla që e bëjnë atë të jetë i garantuar për konsum.
Po ashtu, drejtori ka specifikuar edhe punën e madhe që është bërë në investime së bashku me Komunën e Gjilanit, qeverinë dhe donatorët e shumtë që siç ka thënë ai tashmë janë partner të fuqishëm të kësaj ndërmarrjeje.
Njëkohësisht gjatë ditës edhe në sheshin kryesor në Gjilan, janë shpërndar informata të rëndësishme për qytetarët në formë të fletëpalosjeve dhe broshurave të ndryshme informuese për kursim të ujit dhe shfrytëzimin e tij me një kujdes maksimal.