Autostrada në “Rrugën e Kombit” ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë pritet të ketë disa ndryshme. Kosovarët që udhëtojnë për në vendin shqiptar pas disa ditësh do ta kenë për detyrim të paguajnë një taksë rrugore.
Kështu, në disa media është raportuar se të njëjtit duhet të paguajnë tarifën në fjalë prej 25 marsit ( e dielë) me një çmim që supozohet të jetë 5 euro (vajtje-ardhje) pra në total 10 euro. Mirëpo, për këtë ekzekutivi kosovarë nuk është ende në dijeni.
Lidhur me këtë çështje, në një përgjigje për “Indeksonline” Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka treguar se kur mund të nis kjo procedurë.
Sipas Lekajt, çmimi i tarifes në Rrugën e Kombit do të caktohet gjithnjë duke u bazuar në kushtet ekonomike të qytetarëve të Kosovës.
“Nuk jam në dijeni se do të ketë njëherë, mirëpo në të ardhmen gjithësesi ne do të kryejmë një fizibilitet dhe do të kujdesemi në bazë të kushteve ekonomike dhe xhepit të qytetarëve që mos t’i dëmtojmë shumë, por mund të fillojmë me një çmim simbolik. Unë mendoj që sa i përket rrugës së Kombit pra Autostradës ata i kanë politikat e veta dhe çmimi nuk do të jetë aq i lartë sepse ne frekuentojmë shumë qytetarëve tone”, ka thënë Lekaj për “Indeksonline”.
Më tej, ai ka theksuar se do të bisedon me homologun e tij në Shqipëri dhe të shikojnë mundësinë se si kanë vendosur sa i përket qytetarëve të Kosovës.
Ndryshe, numri i personave që kanë hyrë në Shqipëri gjatë janarit dhe Shkurtit është 140.687, pra me një rritje prej 16.7% duke u krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kujtojmë se Kosova vazhdon të mbajë vendin e parë për hyrjet në Shqipëri.