Ish-kreu i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi thotë se qeveria e Kosovës jo vetëm nuk ka pasur një strategji të mençur për veriun, po tani e ka edhe të dobët.
Në emisionin Balkan Talks në Euronews Albania, Arifi u shpreh se Albin Kurti dhe Vetëvendosja kanë gabuar rëndë duke mos dëgjuar SHBA dhe BE dhe duke nisur një konflikt në veri për një çështje administrative si ajo e targave.
“Ka një zhvillim brenda Kosovës dhe brenda qeverisë së Kosovës që e ka sjellë këtë moment, se nuk ka qenë e dëgjueshme ndaj BE dhe SHBA të cilët të dy udhëheqës të politikave në Ballkan janë në një sfidë të madhe me Rusinë dhe këtu Kurti dhe VV kanë ndikuar për ta sjellë në një situatë të tillë”.
“Nuk mendoj se duhej nisur ky përshkallëzim përmes targave. Është shumë e dobët të merresh me targat duke pasur mundësinë shumë të qartë që të bëjë kërkesën për reciprocitet mes serbëve të Kosovës dhe Luginës së Preshevës. Edhe BE ka faj të madh në Luginën e Preshevës edhe të ndalesës së bërjes së paralelizmit mes serbëve të Kosovës dhe Luginë së Preshevës”, tha Arifi.