Shkruan: Enver Sadiku
Frederik de Buasona (Frédéric de Boissonnas 1858 – 1946) ishte një fotograf i njohur zviceran. Ai me origjinë ishte nga Gjeneva dhe pas vetit ka lënë një koleksion të fotografive që kanë një vlerë të madhe dokumentare dhe artistike.
Frédéric de Boissonnas 1858 – 1946
Në vitin 1913 bashkë me historianin e njohur të artit Daniel Bo-Bovin (Daniel Baud-Bovy 1870 – 1958) ka kaluar nëpër të gjitha trevat shqiptare dhe gjatë rrugëtimit të tij ai ka fotografuar qytete, vende dhe objekte kulturore si kisha, xhamia, ura, shtëpi, objekte të tjera, por edhe njerëz me veshjet e tyre tradicionale. Frederik de Buasona, në vitin 1919 e themeloi shtëpinë e tij botuese „Editions Boissanas” dhe në mesin e shumë librave rreth 50, në dy prej tyre ai botoi foto nga trevat shqiptare, fotografi që kanë një vlerë të lartë dokumentare dhe artistike.
Fotografitë e fotografit dë Buasona kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në paraqitjen e trevave shqiptare e me këtë edhe të Gjilanit në pjesën frëngjishtfolëse të Zvicrës, vend nga i cili është edhe ky autor dhe i cili ka organizuar një numër të madh të ekspozitave të fotografive të tyre. Njëra prej tyre ishte organizuar në Paris më 27 shkurt 1919 në Galerinë „Boetie”, ku përpos ekspozitës është mbajtur edhe një konferencë.
Nga fotogrfitë e shkrepura nga Fred dë Boasona, të bëra në tregun e Gjilanit janë ruajtur dy prej tyre. Fotot janë bërë brenda një periudhe kohore të shkurtër në të cilin shihen njerëz në treg, kafshë që tregëtoheshin e në prapavijë shihen edhe shtëpi tradicionale shqiptare, sikurse edhe kodrat që e rrethojnë qytetin e Gjilanit. Kjo foto dëshmon se në Gjilan dominonte popullata shqiptare, gjë që mund të dëshmohet shumë lehtë në bazë të plisave të bardhë që tregëtarët mbajnë në kokë.
As autori i fotografisë, Frederik dë Boasona e as Daniel Bo Bovi, historian i artit nuk kanë lënë shumë hollësi në lidhje me foton, përpos që kanë bërë me dije se foto është shkrepur në tregun e Gjilanit, që ata e shkruajnë Guilan (lexo Gilan), dhe që në legjendë kanë shkruar se në treg ka popullatë shqiptare, rome e maqedonase./kryelajmi.com/.