Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se ndryshimi i masës për ish-policin serb, Dejan Pantiq, nga masa e paraburgimit në arrest shtëpiak, është veprim i rëndë, që sipas saj, tregon situatën e rënduar brenda sistemit të drejtësisë.
Ajo tha të mërkurën në “Sonte me Rronin” se institucionet e drejtësisë si Prokuroria Speciale dhe Gjykata Themelore, kanë zgjedhur të jenë krah i grupeve kriminale.
“E kam konsideruar si një akt të rëndë për faktin se në vend që institucionet e drejtësisë si Prokuroria Speciale dhe Gjykata, të mbrojnë rendin kushtetues, por edhe qytetarët, kanë zgjedhur që të jenë krah grupeve kriminale. T’i amnistojnë grupet kriminale dhe terroriste e t’i inkurajojnë ata. Kur grupet kriminale terroriste në veri e vendit tonë, që udhëhiqen nga Vuçiqi, shohin vendime të tilla të institucioneve të drejtësisë, atëherë këto veprime janë inkurajim që ata të vazhdojnë me veprimet e rënda që shkelin rendin kushtetues”, deklaroi Haxhiu.
Sipas ministres së Drejtësisë, deklarimet e saj për këtë rast nuk përbëjnë ndërhyrje në drejtësi pasi “po bëhet fjalë për vepër penale që lidhet me terrorizmin”.
“Ne s’kemi pasur ëndrra që pa u bërë reforma në drejtësi do të çlirohet sistemi i drejtësisë, por të marrësh vendime të tilla, sigurisht që të njëjtat janë në papranueshme për Qeverinë, sikur edhe për të gjithë qytetarët, pasi sot kam parë reagime të shumta nga qytetarët, mediat dhe akterë të tjerë, ndaj vendimit në Republikën e Kosovës. Ngjashëm si tërheqja e urdhër-arrestit për kriminelin Milan Radojçiq”, tha ajo.
Sipas Haxhiut, reformat në drejtësi do të mundësojnë që prokurorët dhe gjyqtarët të kenë integritet të lartë profesional, moral dhe të mos ndikohen “nga kërkesat e askujt”.