Rrjetet sociale shpesh bëhen mollë sherri të konflikteve të ndryshme që pasojnë me kërcënime, përleshje e rrahje brutale. Këto raste nuk janë të rralla në vendin tonë dhe për pasojë përfundojnë në Polici, ku kërkohet ndihmë, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur mbrëmë pas mesnate, në rrugën “Lekë Dukagjini” në Gjakovë, ku plasi sherri për shkak të rrjetit social Facebook, me ç’rast një person u kërcënua. Siç mëson Sinjali, i dyshuari F.S., i ka shkuar viktimës te shtëpia e tij, për t’i kërkuar llogari pse ia kishte dërguar ftesën për shoqërim gruas së tij.
Mosmarrëveshja nga distanca eskaloi në kanosje te shtëpia dhe përballë kësaj situate viktima vendosi ta denoncojë rastin, duke e njoftuar Policinë.
Sipas burimeve nga Prokuroria, i dyshuari posa e ka kërcënuar viktimën ishte larguar nga vendi i ngjarjes, e më pas e kanë ndaluar të njëjtin sërish, por këtë herë e kapi Policia.
Njësia policore që intervenoi në vendin e ngjarjes arriti ta arrestojë të dyshuarin, i cili më pas u dërgua në stacion policor, ku pasi iu nënshtrua alkotestit rezultoi se ishte në gjendje të dehur. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori Kujdestar ku në konsultim me të iniciohet rasti si më lartë, dhe i dyshuari ndalohet për 48 orë.
/GazetaSinjali/