Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kërkuar shtim të forcave të KFOR-it në Kosovë.
Kurti thotë se shtimi i ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në Kosovë do të ndihmonin në paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Një rritje e konsiderueshme e numrit të ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në vendin tonë do të përmirësonin sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Kurti në një intervistë për mediumin gjerman “Die Welt”.
Ai tha se po rrit shpenzimet e mbrojtjes dhe numrin e ushtarëve dhe rezervistëve të saj
“Një rritje e numrit të ushtarëve në forcën paqëruajtëse të NATO-s, KFOR, do të mbështeste përpjekjet tona në aspektin e mbrojtjes”, tha Kurti.
Aktualisht në Kosovë janë rreth 3800 ushtarë të KFOR-it, rreth 70 gjermanë. Sipas një vendimi të Bundestagut gjerman, deri në 400 ushtarë shtesë mund të dërgohen me urgjencë në Kosovë.
“Ushtarët gjermanë sigurisht janë të mirëpritur në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Situata në Kosovë ishte tensionuar në javët e fundit, ku serbët në veri vendosën barrikada, duke bllokuar rrugët që çonin në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Po ashtu u sulmuan zyrtarët policorë, gazetarët, madje edhe patrullat e EULEX-it dhe KFOR-it, me shok-bomba e po ashtu me armë. Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u plagos me armë zjarri gjatë situatës që mbiztëroi për 20 ditë.
“16 barrikada në katër komunitete veriore, dhe burra me maska e shenja të forcave mercenare ‘Ëagner’ dhe ‘Ujqërit e natës’ në uniformat e tyre të zeza, e me flamuj duke thirrur ‘Lutu Zotit dhe mbaju fort pas Rusisë’, e bëjnë të qartë nevojën për trupa shtesë të NATO-s, siç e bën edhe grumbullimi i trupave dhe artilerive serbe përgjatë kufirit me Kosovën dhe deklaratat e vazhdueshme nga shtetet serbe dhe ruse”, ka thënë ai.