Në shkollë fillore “Emin Duraku” në Prishtinë që nga paslufta organizohet mësim intensiv për personat që kanë ndërprerë shkollën për arsye të ndryshme.
Një ndër to është edhe Xhevrie Sejdiu e cila në moshën 54 vjeçare është duke përfunduar klasën e 8. Për Tëvë 1 ajo ka rrëfyer se si erdhi deri të vendimi për të rinisur shkollimin fillor.
Ajo nga Ferizaj çdo ditë udhëton në Prishtinë për të ndjekur orët mësimore.
Për të ardhur nga Fshati i Vjetër i Komunës së Ferizajt, asaj i duhet të ndërrojë 3 autobusë.
Por, kjo gjë nuk ia ndal vazhdimin e jetësimit të ëndrrës së saj.
“Kam dëgjuar për shkollën, sepse e kam pasur atje një grua dhe ajo më ka thënë që shko se ishin arsimtarët shumë të mirë. Një herë, në fillim është kanë stres, qysh po më pranojnë shokët e shoqet, por e kam pa që është shumë mirë dhe jam shumë e kënaqur”, ka thënë ajo.
E për të filluar edhe një herë shkollën fillore, Sejdiu kishte edhe mbështetjen e familjes.
“Prej familjes nuk kam kurrfarë pengese. Madje fëmijët më kanë thënë: nënë veç vazhdo- inshalla vetëm shëndetin e ke. Jemi krenarë që e kemi një nënë që pas 50 vjetëve dëshiron me vazhdu shkollën. Unë mendoj edhe shkollën e mesme më përfundu e për ma tutje veç shëndetin më pas”, thotë Sejdiu.
Përkundër vështirësive që ka, asaj nuk i mungon vullneti për të mësuar edhe një herë gjërat nga e para.
“Po është pak e vështirë, se pak mosha dhe unë edhe punoj, por çka më bo më vullnet arrihet çdo send. Pa shkollë nuk arrihet asgjë. Ndoshta është pak vonë, por prapë vonë nuk është kurrë. Puna më arrit diçka madje edhe pensioni se sa shkollë të kish ke edhe pension, kjo është edhe njona prej arsyeve”, tregon ajo.
Për të gjithë ata të cilët kanë ndërprerë shkollimin, 54 vjeçarja ka një mesazh.
“Mesazhi është që të vijnë ta kryejnë shkollën, se vonë nuk është kurrë madje edhe stafi arsimor është tepër i mirë”.
E përveç Xhevrie Sejdiut, shkollën fillore e kanë nisur edhe dhjetëra nxënës tjerë të cilët janë mbi moshën 16 vjeçare.
Por pavarësisht moshës e angazhimeve që kanë interesimi i tyre për të mësuar është i madh.
“Këta janë shumë të interesuar janë të rregullta. Çdo herë në mësim edhe kur mungojnë na pyesin sepse na e dimë që këta janë prindër- janë nëna, dhe ne i mirëkuptojmë. Por këta janë të përkushtuar dhe janë të rregullt”, thotë Nuhi Deva- mësimdhënës i matematikës
Numri i nxënëseve që kanë ndërprerë mësimin e të cilët janë të interesuar për rinisur shkollën fillore është në rritje.
“Interesimi është në rritje, veçmas kandidateve që vijnë nga komunat e tjera ku sivjet kemi parë një rritje të numrit. Ky është një lajm i mirë sepse njerëzit dëshirojnë të integrohen në shoqëri dhe ta kenë një bazë të shkollimit elementar”, Visar Osmani- drejtor i shkollës “Emin Duraku”
Në shkollën ‘Emin Duraku” që nga paslufta organizohet mësim intensiv për personat e interesuar.