Sot rreth orës 12:00 dhjetëra automjete të rënda të KFOR-it kanë filluar largimin e dy kamionëve të bllokuar, të cilët ishin pjesë e barrikadave në veri, përtej fshatit Grabovc, komuna e Zveçanit, përkatësisht te vendi i quajtur “Përroi i Zhazhës”.
Kështu, shumë shpejt do të hapet rruga alternative që lidh fshatin Zhazhë, i banuar me shqiptarë, me Zveçanin, përkatësisht Mitrovicën.
Po ashtu edhe Policia e Kosovës është duke asistuar në këtë operacion.
Misioni i KFOR-it në Kosovë para dy ditësh ka kryer disa operacione inxhinierike në veri të vendit, duke i larguar nga rruga automjetet e bllokuara që kanë mbetur në atë pjesë.
Kujtojmë se të enjten, më datë 29 dhjetor, në veri të vendit serbët kanë larguar barrikadat e vendosura nga bandat kriminale në veri të vendit, por aty kanë mbetur disa kamionë të djegur nga vetë ata.
Kurse vendosja e tyre është bërë për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga policia e Kosovës, Dejan Pantiq, i cili ditë më parë është dërguar në arrest shtëpiak. /Zëri