Aksioni i djeshëm Policisë së Kosovës për arrestimin e zyrtarit të Serbisë, Marko Gjuriq, që duhet përshëndetur, u përcoll në mënyrë jo shumë profesionale nga mediat në Kosovë.
Shkruan: Ilmi MUSLIU
Gazetarët, me ndonjë përjashtim, raportuan me emocione, me përshkrim jo të saktë të situatave e të procedurave të arrestimit, me një gjuhë aspak të përshtatshme për raste të tilla.
Reporterët në terren, po edhe ata nëpër studio, që do të duhej të tregoheshin më të pjekur profesionalisht, vazhdimisht e përshkruanin situatën duke thënë “Gjuriq po vjen në Prishtinë”, “Gjuriq sapo nuk ka arritur në Prishtinë”, ose “Gjuriq u arrestua duke tentuar të hyjë në Kosovë” e të tjera formulime të tilla.
Gjuriq nuk erdhi në Prishtinë, të paktën jo dje, por ai u shoqërua për në Prishtinë nga policia e Kosovës, si person i ndaluar, ose i arrestuar, për shkak se nuk respektoi vendimin e autoriteteve kosovare, të cilat ia kishin ndaluar hyrjen në Republikën tonë.
Gjuriq, pra hyri ilegalisht në Kosovë dhe prandaj u arrestua nga policia e Kosovës dhe u shoqërua për në Prishtinë.
Gabime të tilla, në stilin “Gjuriq është nisur për në Prishtinë”, bënë edhe redaktorët e disa televizioneve, madje shpesh edhe duke e ngatërruar emrin e të arrestuarit. Ndoshta nga nxitimi kush po e jep më shpejt lajmin.
Analizuar nga gjuha e përdorur gjatë raportimit, disa nga gazetarët dukeshin edhe të frikësuar në momente, gjatë paraqitjes nga Mitrovica, e disa të tjerë të krijonin përshtypjen se Gjuriq po vinte me qejfin e tij në Prishtinë.
Gjykuar nga emocionet me të cilat përshkruhej gjendja prej gazetarëve në studio, të dukej se në Kosovë tashmë kishte nisur lufta.
Rasti i djeshëm tregoi se shumica e mediave kosovare nuk kanë gazetarë që dinë të raportojnë nga situata të tilla, ku duhet të mbizotërojë profesionalizimi dhe jo emocionet.
Të tepërta ishin edhe komentet e disa analistëve, në stilin “pse duhej të arrestohej Gjuriq dje”, “pse nuk u dëbua”, “pse nuk u arrestua më herët” e të tjera e të tjera, deri te tendenca për t`i dekonspiruar policët të cilët kanë marrë pjesë në këtë aksion.
Dje u pa edhe njëherë se në Kosovë, ka shumë analistë e pak gazetarë profesionistë.
Në krejt këtë situatë, sipas meje, vetëm policia e bëri punën e saj në mënyrë profesionale