NATO-ja ka publikuar një njoftim pas heqjes së të gjitha barrikadave në veriun e Kosovës, për të cilin, së fundmi, u angazhua misioni i saj, KFOR.
“Të enjten, misioni i NATO-s, KFOR, përfundoi heqjen e disa automjeteve që po i bllokonin rrugët në Kosovën veriore, përmes vendosjes së njësive inxhinierike në zonat e “Kërrshit të Dudës” dhe Serbovcit”, thuhet në komunikatën e publikuar nga NATO-ja.
Aty thuhet se çmontimi i barrikadave që kishin bllokuar rrugët e veriut prej dhjetorit, u bë sipas mandatit që ka KFOR-i në Kosovë prej ’99-s.
“Kjo u krye në përputhje me mandatin e KFOR-it – bazuar në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të vitit 1999 – për të ofruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për përfitimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Kjo bëhet pas vendimit të 28 dhjetorit për t’i hequr barrikadat e vendosura në veri të Kosovës, në dhjetor”.
NATO-ja thotë se heqja e barrikadave u bë duke evituar incidentet.
“Heqja e barrikadave pasoi me përpjekjet intensive të aleatëve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian për t’i ulur tensiones, me përkrahjen kyçe të KFOR-it dhe misionit të Eulexit. Çmontimi i postblloqeve të fundit u krye në një mënyrë të shpejt dhe të sigurt, duke evituar incidentet dhe rreziqet e tjera për sigurinë lokale”
Në njoftimin e NATO-s thuhet se KFOR-i ka kapacitet të qëndrojë në Kosovë, për të ofruar sigurinë e nevojshme.
“KFOR-i qëndron i vëmendshëm dhe ka kapacitetin dhe personelin që të vazhdojë ta zbatojë mandatin e vet në baza ditore, duke kontribuar në siguinë e Kosovës dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
NATO po ashtu deklaron përkrahjen për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, duke e konsideruar atë platformë kryesore për gjetjen e zgjidhjeve për të vendosur paqe dhe siguri në rajon. /Express/