Kardiokirurgu, Kushtrim Shala ka dalë me një reagim pak orë pasi u akuzua nga drejtori i Klinikës për mungesë përvoje, në rastin e një operimi të rrallë të kryer mesnatën e së martës në QKUK.
Shala e kishte cilësuar të suksesshëm intervenimin, por pacienti i operuar kishte vdekur pas rreth tri orësh.
Drejtori i Klinikës i ka quajtur kardiokirurgët jokompetentë dhe të papërvojë për një intervenim të tillë
Reagimi pa ndërhyrje i Shalës:
DISEKSIONI I AORTES ME RUPTURE, GJYKIMI PUBLIK DHE TENTIMI PER ELIMINIMIN PROFESIONAL TIMIN NGA “U.D. DREJTORI” I PUSHIMEVE DHE PREJ PUSHIMEVE
Pasi nuk mu dha mundësia që të bëj diskutim në kolegjiume profesionale që rëndom bëhen në çdo qendër të mirëfillt kardiokirurgjike,po ju drejtohem edhe unë mediave në cilësinë e Kardiokirurgut operator dhe njëherit kujdestar në kardiokirurgji me daten 03.01.2023. Për dallim nga ushtruesi I detyrës së drejtorit të Kardiokirurgjisë Rifat Brahimaj i cili pa qenë fare prezent dhe pa patur fare idenë për gjendjen e pacientit në pranim, rrjedhën e trajtimit (operacionit) dhe gjendjen në dalje të operacionit, pa kontaktuar fare me mua si kardiokirurg operator dhe pa kërkuar sqarim për rrjedhjen e operacionit (që ka të drejtë t’a bëj në cilësinë e u.d. drejtorit) thërret mediat dhe u flet per operacionin tim e madje dhe këtë e bënë duke qenë në pushim vjetor.
Diseksioni akut aortik paraqet emergjencë kardiokirurgjike dhe është jashtzakonisht vdekjeprurës nese nuk diagnostikohet dhe trajtohet me kohë. Përafersisht 20% e pacienteve me diseksion te aortes vdesin para se të arrijnë në spital. Vdekshmëria për diseksion akut të aortës të patrajtuar arrin 50% në 24 orët e para. Nëse diseksioni shoqërohet me rupture të aortës (siq ka qene rasti me pacientin ne fjalë) vdekshmëria shkon deri ne 90% ne orët e para.
Pas thirrjes për konsultë urgjente nga Kardiologjia, e kam parë pacientin dhe kam vendosur indikaconin për operim emergjent. Pacienti ishte në margjinat e jetës. Ishte në iskemi të të gjitha organeve të trupit, me paralizë të extremiteteve të majta, shok kardiogjen, hypotension (për shkak të tamponadës).
Diseksioni i aortes (çarja) kishte përfshirë aortën në tërë gjatësinë e saj (deri në bifurkacion) edhe enët supraaortike (te dy Arteriet karotide dhe dy arteriet subclavia), si dhe arteriet viscerale .
Famijareve u janë sqaruar të gjitha detajet lidhur me gjendjen e tij dhe arsyeshmërinë e intervenimit kirurgjik. Të cilët kanë juridikisht kanë pranuar, që të kryhet intervenimi.
Pas përgatitjes për operim kam kërkuar asistencë nga mjeku në gadishmeri dr. Endrit Shala, i cili i është përgjigjur thirjes menjëherë.
Pacienti në shok kardiogjen i është nënshtruar indukimit të anestezionit.
Kemi filluar operimin. Pas kanulimit aksillar te djathtë (right upper brachial) është bërë hapja e krahërorit ku kemi gjetur tamponadë dhe rupturë të Aortes ascendente (aortic root). Meqë paraprakisht pacienti ishte kanuluar për qarkullim jashtëtrupor (CPB), në këto momente nuk kishte fare rrezik jetë për pacientin përkundër ruptures prezente.
Muri I aortës ishte komplet i çarë dhe çarja (tear) kishte ndodhur mu në rrënjë të aortës, mes ostiumit koronar të majtë dhe atij të djathtë. Por që valvula aortale ishte e shëndoshë pa lezione, por me regurgitim masiv, ashtu siç ndodh në pacientët e tillë pothujse çdo herë.
Në një konfiguracion të tillë patologjik, duke qenë rrënja e Aortës komplet e shkatërruar, vendosa ta ruaj valvulën aortale sepse ajo ishte e shëndoshë dhe kështu veprohet kudo në botë. Çfarëdo procedurë tjetër që e largon valvulën e shendosh nga pacienti është MALPRAKTIKË ( MALPRACTICE).
Andaj intervenimi është kryer me sukses dhe pacienti është shkëputur nga qarkullimi jashtëtrupor me lehtësi dhe ka dalur në kujdes intensiv stabil hemodinamikisht, madje me shtypje arteriale edhe 130/80
Ajo që ndodh rëndom tek diseksionet e aortës është çrregullimi i rëndë i faktorëve të koagulimit për shkak të ekstravazimit të gjakut. Edhe në rastin e tillë kishte dëmtim koagulimi meqë gjatë 10 orëve në vijim, pacienti kishte pasur drenazhë më shumë sesa e tolerohet. Sot në botë në plot raste të tilla ipen faktorë koagulimi në periudhën postoperatore por ja që askush në kujdesin intensiv nuk e kishte ndërmarr një hap të tillë, e në rastin më të keq substanca të tilla nuk ka në QKUK.
Pacienti ka qenë i monitoruar nga anesteziologu dhe për çfarëdo eventualiteti kirurgjik emergjent, përgjegjës ka qenë kardiokirurgu kujdestar, i cili me gjasë nuk e ka parë të arsyeshme revizionin e pacientit. Sepse kirurgu operon pacientin dhe atë e le nën përkujdesjen e ekipës kujdestare, sepse pas një kujdestarie 24 orëshe në këmbë (si mjek I vetëm në klinikë) dhe me një operacion emergjent me kohëzgjatje disa orëshe gjatë gjithë natës nuk mund të pritet që vazhdoj akoma ne klinikë ta përcjell pacientin.
Rastet e tilla të vdekjeve brenda spitalore kërkoj që të bëhet autopsia për të parë arsyen e vdekjes.
Poashtu inicimi i çfarëdo hetimi në Kardiokirurgji është mëse i nevojshëm sepse Kardiokirurgjia është në margjinat e ekzistencës.
Komentimi i ushtruesit të detyrës së drejtorit aktual të Klinikës lidhur me rastin dhe atë komentim në media pa i diskutuar fare në konziliumet prefesionale, është jo etik, jo profesional, kriminal, sepse ka të bëjë me tendencën për eliminim të kolegut.
Unë madje tashmë disa vite kam informuar Drejtorinë Gjenerale për problemet ekzistenciale në Kardiokirurgji. Opinioni po ashtu e di që rrënimi i saj tashmë ka ndodhur prej Rifat Brahimaj. Kushtet në të cilat punohet sot në Kardiokirurgji janë minimaliste. Cilësia është larg të pranueshmes dhe kriminaliteti i brendshëm duhet hetuar vërtetë. Duke njohur bekgraundin profesional dhe etik të Rifat Brahimaj nuk quditem për veprimin mjeran të cilin ka zgjedhur ta bëjë , ngase në PSEUDOKARDIOKIRURG me vetëm 16 MUAJ TRAJNIM ME KORRESPODENCË e me vdekshmëri që krahasohet me ato të laboratoreve eksperimentale (ftoj organet e hetuesisë ti shohin dosjet e statistikat ) nuk ka aftësi e dijeni profesionale të gjykoj punën e dikujt tjetër. Mjerisht njerëz të tillë vendosen në pozita menaxheriale…
Menaxhmenti në Kardiokirurgji ose duhet të shkarkohet dhe të hetohet rrënjësisht që tani ose të gjithë ne të tjerët do të shkaterrohemi.
Tjetersimi i këtij postimi do ketë pasoja ligjore! Mund te botohet vetëm si i plotë!
P.s.Në foto Tyrone David (babai i operacionit David-prej te cilit mbanë emrin) dhe unë (Kushtrim Shala)