Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka kërkuar sërish që të lirohet nga paraburgimi në Hagë, dhe në këtë formë t’i mundësohet mbrojtja në liri.
Përmes avokatit të tij, Geoffrey Roberts, Selimi ka parashtuar edhe disa kushte të cilave është i gatshëm t’u përmbahet nëse i mundësohët lirimi nga paraburgimi.
Një nga këto kushte është edhe dorëzimi i dokumenteve të udhëtimit, që i mundësojnë atij kalimin në një shtet tjetër.
“Z. Selimi dorëzon pasaportën e tij dhe çdo dokument tjetër të vlefshëm të udhëtimit te zyrtarët e autorizuar të KSK-së, duke përfshirë letërnjoftimin e tij të Kosovës që lejon udhëtimin në Shqipëri”, thotë avokati i Selimit në një parashtresë që e ka parë lajmi net.
Tutje, mbrojtja bën me dije se në shtëpinë e Selimit është edhe një dhomë ku të gjitha vizitat jofamiljare do të bëhen në prani të zyrtarit të Policisë së Kosovës.
“Në shtëpinë e z. Selimi është caktuar një dhomë e veçantë ku të gjitha vizitat jofamiljare do të bëhen në prani të zyrtarit të Policisë së Kosovës që ruan banesën, e cila gjithashtu do t’i nënshtrohet mbikëqyrjes me video e cila do të regjistrojë ose transmetojë të gjitha takimet jofamiljare për shqyrtimin e menjëhershëm nga roja i caktuar si dhe për transmetim në Regjistër”, thotë tutje avokati i Selimit.
Avokati i Selimit tutje ka propozuar që lirimi i tij të bëhet deri më 29 janar, atëherë kur do të bëhet pajisja me deklaratat e paredaktuara të dëshmitarëve të mbrojtur të Prokurorisë.