Qyteti i Gjilanit ishte arenë sporti, ku e diela sportive dhe lojërat ktheheshin në festë!
Aty ku topi…ishte lapsi i dytë i jetës!
Cila lagje e bëri qytetin arenë të futbollit, hendbollit…?!
Udhëtimi nëpër kohë! Sporti në Gjilan…!
Cilat ishin skuadrat sportive që qytetit të Gjilanit i dhanë festë, emër, i dhanë histori…! Cila skuadër e Gjilanit u bë kampione e Kosovës? Cilët ishin sportistët më të njohur të Gjilanit, të cilët qytetin e kthyen në arenë të sportit…
Si u bë Gjilani qendra e henbollit kosovar dhe përtej…Cili ishte henbollisti më i njohur gjilanas, i cili u vlerësuar lart nga hendbollistja më e mirë e botës dhe nga trajneri më i mirë i hendbollit?!
Ata që i dhanë emër sportit të qytetit, Kosovës e më gjerë! Ata që në fëmijërinë e tyre lojën e futbollit e kishin pasion, ëndërr, qëllim…Ata që pas lojërave freskoheshin e pastroheshin në lumin “Banja”!
Në pjesën e katërt ju sjellim rrëfimin e dr. Shevqet Mehmetit, i cili na shpërfaq kronikën e sportit të Gjilanit nëpër kohë, duke spikatur mjeshtërisht emrat dhe talentin e atyre që i dhanë jehonë futbollit e hendbollit edhe përtej qytetit e rajonit. Ai me saktësi rikthen kohën e kujtimet e asaj kohe, duke e lidhur me kohën tonë jetën sportive, tifozërinë, festën që ngritej deri në qiell nga jehona e brohoritjeve e duatrokitjeve…Sportistë, trajnerë, simpatizues…, të gjithë për qytetin dhe qyteti që jetonte me ta. Të dielat sportive në Gjilan ishin festë, të gjitha rrugët çonin në stadium…, dhe në fushën e henbollit kur luante “Bozhuri”!
4.
Një mëhallë që për herë të parë në historikun e qytetit kishte klubin e vet, ku luanin Mehmet Doda, Behlul Behluli i Mulla Pasulëve, Shahin Dauti- Dizdari, Sadulla Rexhepi-Çerkezi, Faruk Mustafa-Yelmeni, Sherif Klaiqi, Alush Kabashi, Hilmi Mahmut i Sirixhanëve, Uzun Mehmet dhe Zija Neziri. Ky klub u formua me 1951, ku luanin sportistët e kësaj mëhalle, pastaj Zija Neziri ishte edhe trajner i ekipeve te reja te “Zvezdës” dhe “Dritës”!
Ah Gilan, ah Zaman! Ah Gjilan, ah kohë…!
Si mund të paramendohet sporti pa banorët e kësaj mëhalle që dha për hendboll – Durgut Abdulhahun, Naser Abdullahun, Muharrem dhe Sedat Gash, Hysein Salihun, Kemal Dindarin, Sali Salihun, Vllaznimin e Uzun Mehmetëve. KH “Bozhuri”, që nuk mund të kishte namin pa maestron Durgut Abdullahun, i cili i shëtiste portierët prej këndi në kendin tjetër të portës gjate penaltive! Si mund të mohohen fjalët e lavdërimit e respektit për Durgutin nga ana e hentbollistes më të mirë të botës, Svetlana Kitiq dhe nga portieri më i mirë i botës, Abas Asllanagiq.
Si mund të harroj shokun tim të klasës, hendbollistin, i cili me goditjet e tij u fuste “ethet” portierëve të portave kundërshtare! A mund të harrohet Muahrrem Gash, i cili vdiq tragjikisht në lojën e hendbollit në Vishegrad (Bosnjë e Hercegovinë)! Si mund te harrohet simpatizuesi i flakët i “Bozhurit”, Mehmet Doda, i biri i Uzun Mehmetit, që ngriste në qiell publikun, ishte “amigoja” (miku) i klubit!
Kjo mëhallë ka dhënë trajnerin e njohur në Europë në basketboll Oktay Mahmutin, që është djali i profesorit Kenan Mahmutit, nipi i Haki efendiut, i cili është shpërngulur në Shkup me 1964, pastaj në Turqi. Oktay Mahmuti, tani është trajner i klubit të basketbollit “Galltasaray” të Stambollit. Ai ishte trajner i “Efes Pilsenit”, “Darushafakes” të Stambollit dhe “Benetonit”. Me “Efesin” u bë kampion Europe, ndërsa mediat e quanin “Mourinho – Murinjo” i basetbollit. Topi i basketbollit, futbollit, hentbollit për fëmijët e Çiflik mëhallës ishte lapsi i dytë i jetës. Luanin, pastaj perlyheshin nga balta dhe pluhuri, e në fund pastroheshin në lumin “Banja”, që rridhte nga vendi i quajtur te “plepat”, ose në çezmet e Haki efendiut, Simonoviqëve dhe në bunarët (puset)e cekëta të kësaj mëhalle.
Themelet e karatesë në Gilan, atë në sallën e “Partizanit” i vuri Salih Salihu / Hasani/, i cili pastaj u shpërngul në Augsburg të Gjermanisë. Ai ishte edhe veprimtar i njohur politik. Sot në moshë, është aktiv në trendet e karatesë botërore.
Ah Çiflik mëhallë, ti qytetit i ke dhënë Rashit Gashin, Jakup Berishen, Galip Sahitin -berberin, që Gilanit ia sollën titullin e kampionit të Kosovës, me 1962. Shahini dhe Rashiti ishin temperament, “kacafytës”, por edhe luftarak në fushë të futbollit! Rashiti, Galipi e Jakupi më kujtohen derisa luanin në stadiumin e vjetër të futbollit, ndërsa Tajar Berisha e Bekim Isufi ishin në KF “Cërvena Zvezda “dhe “Drita”.
Djali i Xhavit Dakut, Nehati ishte mesfushori, i cili me pasimet e veta precize koordinonte lojën, gjë që “Cërvena Zvezdën” e solli në ligën e dytë, ku korrte suksese të njëpasnjëshme. Ishte adhurues në mesin e publikut. Trajner, atëherë, ishte Çollakoviqi.
A mundet të mendohet për sportin e Gilanit, e mos të permendet Skënder “Leshi” – që ishte ekonom i KF “C.Zvezda” dhe” Drita”! A mund të kenë kuptim sporti dhe klubi “Drita” pa simpatizuesin e flakët Erkan “Leshin”, i cili u printe Intelektualëve në çdo fushë – jashtë dhe brenda.
AH GILAN, AH ZAMAN, AH ÇIFLIK MËHALLË. PËR TY DO TË SHKRUAJA SHUMË, KAM ÇKA TË SHKRUAJ NGA KUJTIMET E MIA! TI QE U FORMOVE NGA DIZDARËT, QË ME BANORËT E TU I DHE RITEË JETËS NË QYTET; TI QË E BEGATOVE ME ADETET E TUA; TI QË DHE EFENDINJË, HANËME, MËSIMDHËNËS, NJERËZ KULTURE, SPORTISTA, MJEKË, INXHINIERË, EKONOMISTA, JURISTA DHE SHUMË PROFILE TJERA!
LAGJA QË I FALE GJALLËRI E JETË QYTETIT, QË NA LE AQ SHUMË KUJTIME – TË FALEMINDERIT!
AH GILAN, AH ZAMAN, AH ÇIFLIK MËHALLË, SHUMË KUJTIME I MBAJ NË MUZEUN TIM – “AMANETI” NË GILAN…!
A Ka më bukur se kur jeta është festë, është gëzim…, e festa shpalos lumturinë, entuziazmin, vullnetin për jetë! A ka çmim ajo që na bën të lumtur përveç jetës aktive, të organizuar dhe plot shpresë!
Ah Gjilan, i ndjej hapat e ritmit të jetës tënde! Ah qyteti im, edhe sot më ndjek pas e më vjen si jehonë zëri melodisë tënde gazmore, vrulli yt, kënga yte rinore, mëngjeset tua plotë jetë mbrëmjet gumzhuese që na mblidhnin në një vend – në qendër…Rrëfimi për ty njk përfundon kurrë, ashtu sikur jeta yte shë kujtimet janë të pafund…!
/Autor: Dr. Shevqet Mehmeti/ E përgatiti (redaktoi) për shtyp: N.Buzuku/