Shkruan: Ismajl Veliu
Ekrem Rukovci është një emër i njohur dhe i respektuar në sportin e qytetit të Gjilanit dhe më gjerë. Si futbollist i ekipit legjendar “Ylli i Kuq”, ai konsiderohet ndër mesfushorët më të mirë që ka pasur klubi gjatë historisë së tij.
Ekremi shquhej për inteligjencën në lojë, vizionin e jashtëzakonshëm dhe pasimet e sakta, të cilat shpesh krijonin raste të pastra shënimi për bashkëlojtarët e tij. Në mesfushë ishte organizatori kryesor i lojës, një futbollist që me qetësinë dhe aftësitë e tij teknike udhëhiqte ekipin drejt sukseseve.
Përveç talentit të madh futbollistik, ai njihej edhe për disiplinën, seriozitetin dhe korrektësinë e tij si në fushën e gjelbër, ashtu edhe jashtë saj. Gjatë karrierës së tij, shumë gazeta sportive të kohës kanë shkruar për paraqitjet dhe sukseset e Ekrem Rukovcit, duke e vlerësuar si një ndër lojtarët më cilësorë të Ligës së Parë të Kosovës.
Por Ekremi nuk ishte vetëm një sportist i shkëlqyer. Ai ishte dhe mbetet një zotëri i vërtetë i qytetit, një njeri i edukuar, pedant dhe i respektuar nga të gjithë.
Sporti, kultura qytetare dhe eleganca në sjellje kanë qenë gjithmonë pjesë e personalitetit të tij, duke e bërë një shembull të mirë për brezat e rinj.
Zotëri Ekrem Rukovcit i urojmë shëndet të mirë, lumturi dhe edhe shumë vite të tjera pranë familjes së tij të respektuar. Kontributi i tij në sportin gjilanas do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë së futbollit të qytetit tonë.

