Komiteti i Parlamentit Evropian të enjten do ta ketë në rend dite votimin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Kjo u bë e ditur nga eurodeputeti Thijs Reuten, derisa i njëjti bëri thirrje për votim.
“Pas marrëveshjes së shumëpritur me shtetet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën dhjetorin e kaluar, ne do të vazhdojmë me ritmin në Parlamentin Europian. Votoni në komision këtë të enjte!”, shkroi Reuten.
Duhet theksuar se ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së gjatë takimit në Bruksel në dhjetor kanë miratuar marrëveshjen e arritur më parë mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Tani marrëveshja duhet të votohet në Komisionin për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE) në Parlamentin Evropian, e më pas edhe në seancën plenare.