Manifestimi kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2023”, ka vazhduar tutje rrugëtimin e tij me ekspozitën kolektive të arteve pamore “Peneli i Flakës”, i hapur solemnisht në Galerinë e Arteve në Gjilan, por me të veçantën e saj, pasi një pjesë e punimeve është ekspozuar edhe në Muzeun e Qytetit të Gjilanit.
Përndryshe, në hapje të ekspozitës, përveç artistëve dhe artdashësve, morën pjesë, edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ambasadori shqiptar, Qemal Minxhozi dhe të tjerë.
Në këtë ekspozitë janë prezantuar punime të përzgjedhura të mbi 60 artistëve të ndryshëm nga Kosova, Shqipëria e Lugina, me punime si në pikturë, skulpturë, grafikë, instalacione, e teknika të tjera të kombinuara, ndërsa çmimet e parapara si: Çmim blerës i galerisë dhe dy çmimet tjera të barabarta, do të bëhen të ditura në manifestimin përmbyllës të “Flakës së Janarit”, më 31 janar, deri kur do të jetë e hapur ekspozita.
Përndryshe, Kushtrim Zeqiri, drejtor për Kulturë, Rini e Sport (DKRS) në Gjilan, ka falënderuar të gjithë artistët pjesëmarrës nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët janë bashkuar në këtë ekspozitë të “Flakës…”.
Ai tha se e veçanta e këtij edicioni te “Peneli i Flakës” është se shtrihet në dy vende njëkohësisht, në Galerinë e Artëve dhe në Muzeun e Qytetit”. Pra kjo ngjarje unike do të shfaq vepra arti në të dyja vendet, duke krijuar më shumë hapësirë për pjesëmarrësit.
“Mbështetur nga kryetari i Komunës, DKRS-ja ka për qëllim t’i përkrahë artistët në vazhdimësi dhe në këtë manifestim unik. Me shumë krenari komuna do të jetë përherë pranë krijuesve të këtij lloji arti”, ka thënë Zeqiri.
Ndërsa, kuratori i ekspozitës, Refki Gollopeni ka thënë se kjo ekspozitë me konceptin “Liria”, u kushtohet dëshmorëve.
“Ekspozita “Peneli i Flakës 2023” prezanton me krenari një koleksion të mediumeve të ndryshme me mbi 60 pjesëmarrës, duke nderuar kështu ata që kanë luftuar me guxim për atë që besuan, duke na lënë një trashëgimi shprese dhe frymëzimi”, ka thënë Gollopeni.
Ai tha se sonte jemi bërë bashkë për të kujtuar kontributin sublim të njerëzve që dhanë edhe jetën, edhe energjinë e fundit për liri, andaj koncepti i kësaj ekspozite ka për temë “Lirinë” dhe në këtë ekspozitë është plotësuar njëri prej kritereve, sepse vet liria e shprehjes së artistëve e plotëson boshllëkun e temës.
Gollopeni ka bërë me dije se koncepti i plotë për këtë ekspozitë është pjesë e katalogut që mund ta kenë pjesëmarrësit, por shtoi se nuk mund pa përmend faktin që artistët e kanë bërë të pamundurën që kjo ekspozitë të jetë cilësore dhe në nivel shumë të lartë.
Përndryshe, Manifestimi Kulturor Mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2023”, me të cilën nderohen heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit, të rënë për liri e mëvetësi kombëtare, vazhdon tutje më 23 janar kur hapet Festivali i Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2023”.