Presidentja Vjosa Osmani në takim me kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamzaj
Pas vërshimeve të rënduara në Kosovë, Presidentja Vjosa Osmani u ka shkuar për vizitë komunave më të prekura nga përmbytjet.
Osmani të premten vizitoi Klinën, Skenderajn dhe Mitrovicën ku është takuar me kryetarët e këtyre komunave dhe ka parë nga afër gjendjen, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në takim me kryetarë, Osmani ka falënderuar ata për angazhimin derisa ka theksuar se edhe institucionet qendrore do t’u dalin në mbrojtje, njofton zyra e Presidencës.
“Presidentja Osmani ka theksuar se që nga mbrëmë ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me institucionet e sigurisë dhe në këtë kontekst ka vlerësuar angazhimin e strukturave komunale dhe institucioneve emergjente për të ndihmuar qytetarët dhe për t’i minimizuar dëmet në ekonomi familjare. Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet qendrore do të angazhohen maksimalisht për t’i mbështetur komunat e prekura nga vërshimet”, bën të ditur komunikata.
Ajo po ashtu ka vizituar edhe bizneset që u prekën nga këto vërshime, të cilëve u ka premtuar mbështetje në minimizim të dëmeve të shkaktuara.
“Falënderoj Forcën Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, autoritetet komunale dhe të gjithë ata, të cilët ndodhen në terren në zonat më të rrezikuara, në gatishmëri të plotë për t’u ofruar ndihmë qytetarëve dhe për ta mbrojtur secilën jetë”, citohet të ketë thënë Osmani. /Reporteri.net/.